Testamenti im shpirtëror (Papa Benedikti XVI)

Foto di Francesco Nigro da Pixabay

më 29 gusht 2006

Nëse në këtë orë të vonë të jetës sime kthej kokën pas për të shikuar dekadat që përshkova, së pari shoh sa shumë arsye kam për të falënderuar. Falënderoj para së gjithash vetë Zotin, shpërndarësin e çdo dhurate të mirë, që më dha jetë dhe më priu në çaste të ndryshme pështjellimi, duke më ngritur gjithnjë në këmbë, sa herë filloja të rrëshqisja dhe duke më ndriçuar gjithnjë me dritën e fytyrës së Tij. Ndërsa kthej kokën mbrapa, shikoj e kuptoj se edhe skutat më të errëta e më kapitëse të kësaj rruge, ishin për shpëtimin tim dhe se pikërisht në to Ai më priu mirë.

Falënderoj prindërit e mi, që më dhanë jetën në një kohë të vështirë dhe që me çmimin e flijimeve të mëdha, me dashurinë e tyre, më përgatitën një strehë madhështore e cila, si dritë e kthjelltë, i ndriçon të gjitha ditët e mia, deri më sot. Besimi i patundur i tim eti na mësoi ne, fëmijëve, të besojmë, besim që, si udhërrëfyes, qe gjithnjë i patundur në mes të të gjitha arritjeve të mia shkencore; devocioni i thellë dhe mirësia e madhe e nënës sime, është trashëgim, për të cilën nuk mund ta falënderoj kurrë sa duhet. Motra më ndihmoi për dekada, me vetëmohim dhe kujdes plot dashuri; vëllai, me kthjelltësinë e gjykimeve, vendosmërinë e patundur dhe qetësinë e zemrës, më hapi gjithnjë rrugën e më priu; pa shoqërimin e tij të vazhdueshëm nuk do të kisha mundur të gjeja rrugën e duhur.

Falenderoj sinqerisht Zotin për miqtë e shumtë, burra e gra, që Ai i vuri gjithnjë pranë meje; për bashkëpunëtorët në të gjitha fazat e rrugëtimit tim; për mësuesit dhe nxënësit, që m’i dhuroi. Ia besoj të gjithë, mirënjohës ndaj mirësisë së Tij. Dua ta falënderoj Zotin edhe për atdheun tim të bukur në Ultësirën alpine bavareze, ku pashë gjithnjë tejdukjen e shkëlqimit të vetë Krijuesit. Falënderoj njerëzit e Atdheut tim, sepse ndër ta munda ta jetoj sërish bukurinë e fesë. Lutem që toka jonë të mbetet tokë besimi dhe ju lutem, të dashur bashkatdhetarë: mos u largoni kurrë nga feja juaj! Së fundi, falënderoj Zotin për gjithçka të bukur, që munda të jetoj në të tëra etapat e shtegtimit tim, veçanërisht në Romë dhe në Itali, që u bë Atdheu im i dytë.

Të gjithë atyre, të cilëve u bëra keq në çfarëdo mënyre, u kërkoj falje me gjithë zemër.

Atë që u thashë më parë bashkatdhetarëve të mi, ua them tani të gjithë njerëzve të Kishës, që i besuan shërbimit tim në Kishë: qëndroni të patundur në fe! Mos u pështjelloni! Shpesh duket se shkenca – shkencat e natyrës nga njëra anë – dhe ato historike (në veçanti interpretimi i Shkrimit Shenjt) nga ana tjetër – janë në gjendje të ofrojnë rezultate të pakundërshtueshme, në kontrast me fenë katolike. I jetova transformimet e shkencave natyrore që nga kohërat e largëta dhe munda të shoh sesi, përkundrazi, u zhdukën siguritë në dukje kundër fesë, duke dëshmuar se nuk janë shkenca, por interpretime filozofike, shkencore vetëm në dukje; ashtu siç ndodh edhe në dialogun me shkencat e natyrës, që edhe feja ka mësuar ta kuptojë më mirë kufirin e vlerës së pohimeve të veta e rrjedhimisht, edhe specifikën e saj. Që prej gjashtëdhjetë vjetësh shoqëroj rrugën e Teologjisë, posaçërisht të Shkencave Biblike, e duke ndjekur pas brezni të ndryshme, pashë sesi u shembën teza, që dukeshin të palëkundshme, duke dëshmuar se ishin thjesht hipoteza: breznia liberale (Harnack, Jülicher, etj.), breznia ekzistencialiste (Bultmann etj.), breznia marksiste. Pashë dhe vazhdoj të shikoj se si nga lëmshi i hipotezave, doli dhe po del sërish në pah arsyetimi i fesë. Jezu Krishti është me të vërtetë rruga, e vërteta dhe jeta – e Kisha, me të gjitha kufizimet e saj, është me të vërtetë Korpi i Tij.

Së fundi, kërkoj përvujtërisht: lutuni për mua, në mënyrë që Zoti, me gjithë mëkatet dhe të metat e mia, të më mirëpresë në banesat e amshuara. Për të gjithë ata, që m’u besuan, del ditë për ditë nga zemra lutja ime!

Benediktus PP XVI

Të falënderoj ty, gruaja (Gion Pali II)

Humanae Vitae (Papa Pali VI)