Humanae Vitae (Papa Pali VI)

Photo from Priest for life

LETRA ENCICLIKEMBI MISIONIN BASHKËSHORTOR PËR TË DHËNË JETË

1. Misioni shumë i rëndësishëm për të transmetuar jetën njerëzore i bën bashkëshortët bashkëpunëtorë të lirë dhe të përgjegjshëm të Hyjit Krijues. Kjo detyrë ka qenë gjithmonë për ta një burim i madh gëzimi; edhe meqë, ndonjëherë, e shoqëruar nga jo pak vështirësi dhe ngushticë. Në çdo kohë, përmbushja e këtij misioni ka vënë probleme serioze ndaj ndërgjegjes së bashkëshortëve, por me zhvillimin e fundit të shoqërisë, janë shfaqur ndryshime që krijojnë çështje të reja të cilat Kisha nuk mund t’i injorojë, me që prekin nga afër jetën dhe lumturinë e njerëzve.

I. ASPEKTE TE REJA TË PROBLEMIT DHE KOMPETENCA E MAGJISTERIT

2. Ndryshimet që kanë ndodhur janë, në fakt, të një rëndësie të madhe dhe të llojeve të ndryshme. Kjo është para së gjithash zhvillimi i shpejtë demografik, për të cilin shumë njerëz shprehin frikën se popullsia e botës rritet më shpejt se burimet në dispozicion, dhe rritet ngushtica e shumë familjeve dhe popujve që janë në rrugën e zhvillimit. Kjo është arsyeja përse autoritetet janë tunduar t’i kundërshtojnë këtij rreziku me masa radikale. Për më tepër, kushtet e punës dhe të strehimit, si edhe nevojat gjithnjë më të mëdha nga ana ekonomike dhe nga ana e edukimit të të rinjve, shpesh e bëjnë të vështirë sot mbështetjen e përshtatshme e një numri të madh të fëmijëve.Ka edhe një ndryshim, jo vetëm në mënyrën për të konsideruar personin e gruas dhe vendin e saj në shoqëri, madje edhe në vlerën që duhet t’i jepet dashurisë bashkëshortore në martesë, si edhe në vlerësimin që duhet t’i jepet kuptimit të akteve bashkëshortore në lidhje me këtë dashuri.Së fundmi, dhe mbi të gjitha, duhet të mendojmë se njeriu ka bërë përparime të mrekullueshme për të sunduar dhe për të organizuar në mënyrë racionale forcat e natyrës, në mënyrë që ai të përpiqet ta shtrijë këtë sundim ndaj vetë qenies së tij në përgjithësi: trupit, jetës psiqike, jetës shoqërore, madje edhe ligjet që qeverisin transmetimin e jetës.

3. Një gjendje e tillë ngjall pyetje të reja. Në qoftë se, duke pasur parasysh kushtet e jetës së sotme dhe duke marrë parasysh kuptimin që marrëdhëniet midis burrit dhe gruas kanë për harmoninë e bashkëshortëve dhe për besnikërinë reciproke, a thua të mos mund të jetë e drejtë që të rishikohen normat etike në fuqi deri tani në fuqi, sidomos duke kujtuar se ata nuk mund të zbatohen pa sakrifica, ndonjëherë heroike.Edhe më tej: disa mendojnë se, në këtë fushë të riprodhimit njerëzor, shtrirja e zbatimit të “parimit të tërësisë”, çon të pranohet se qëllimi i një pjellorie më pak të bollshme, por më të racionalizuar, bën që ndërhyrja materialisht sterilizuese bëhet një rregullim i ligjshëm dhe i mençur i lindjeve. A thua nuk mund të mendojmë se qëllimi i prokrijimit i takon tërësisë së jetës bashkëshortore, dhe jo secilit prej akteve të saj individuale. Bëhet gjithashtu pyetja nëse, duke pasur parasysh rritjen e ndjenjës së përgjegjësisë së njeriut modern, nuk ka ardhur koha për të që t’ia besojë detyrën e transmetimit të jetës më shumë arsyes dhe vullnetit të tij, dhe jo me ritmeve biologjike të organizmit të tij.

4. Pyetje të tilla kërkonin nga Magjisteri kishtar një pasqyrim të ri dhe më të thellë mbi parimet e mësimit moral mbi martesën: një mësim i bazuar në ligjin natyror të ndriçuar dhe të pasuruar me anë të zbulesës hyjnore. Asnjë besimtar nuk do të donte të mohonte se Magjisterit të Kishës i takon gjithashtu të interpretojë ligjin moral natyror. Në fakt, është i padiskutueshëm, sikurse kanë deklaruar në mënyrë të përsëritur paraardhësit tanë, që Jezu Krishti, duke i komunikuar Pjetrit dhe apostujve autoritetin e Tij hyjnor dhe duke i dërguar për të mësuar të gjitha kombet urdhërimet e Tij, i ka caktuar si kujdestarë dhe shtjellues autentik të tërë ligjit moral dhe jo vetëm të Ungjillit, por edhe të ligjit natyror. Sepse edhe ligji natyror është shprehje e vullnetit të Perëndisë. Përmbushja besnike e këtij ligji është gjithashtu e nevojshëm për shpëtimin e përjetshëm të njerëzve.Në përputhje me këtë mision, Kisha gjithmonë, por më gjerësisht në kohët e fundit, ka dhënë mësim adekuat si për natyrën e martesës, ashtu edhe për përdorimin e duhur të të drejtave martesore dhe detyrat e bashkëshortëve.

5. Vetëdija e të njëjtit mision na nxiti për të konfirmuar dhe për të zgjeruar Komisionin e studimit të cilin paraardhësi ynë i nderuar Gjoni XXIII themeloi në mars të vitit 1963. Ky komitet, i cili përfshinte, përveç disa ekspertëve në disiplina të ndryshme përkatëse edhe çiftet e martuara, kishte për të porositur jo vetëm opinione mbi pyetje të reja në lidhje me jetën bashkëshortore, dhe në veçanti mbi një rregullore të drejtë të lindjes, por edhe për të siguruar elementet e duhura të dhënave, në mënyre që Magjisteri i Kishës mund të japë një përgjigje të përshtatshme ndaj pritjes jo vetëm të besimtarëve, por edhe të opinionit publik botëror.Puna e këtyre ekspertëve, si dhe gjykimet dhe këshillat e mëvonshme që morëm nga një numër i madh i vëllezërve tanë në episkopat, ose të dërguar në mënyrë spontane ose të kërkuar nga ne, na mundëson që të kuptojmë më mirë të gjitha aspektet e këtij argumenti kompleks. Prandaj, me zemër të madhe, ne shprehim mirënjohjen tonë të gjithëve.

6. Megjithatë, konkluzionet në të cilat arriti Komisioni, nuk mund të konsideroheshin nga ne si definitive dhe absolutisht të sigurta, as nuk mund të shmangemi që të japim një hetim personal ndaj kësaj pyetje të rëndësishme. Për më tepër ky Komision nuk ra dakord dhe nuk qe njëzëshëm në vendimet e tij në lidhje me normat morale që duhet të propozohen. Dhe sidomos, kishin dalur disa kritere zgjidhjeje, të cilët shkëputen nga doktrina morale martesore që u përçua me vendosmëri të vazhdueshme nga Magjisteri i kishës. Prandaj, duke pasë shqyrtuar me vëmendje dokumentacionin që na ishte ofruar, pas reflektimit të pjekur dhe lutjet ngulmuese, ne tani synojmë, në bazë të mandatit që Krishti na besoi, që të japim përgjigjen tonë ndaj këtyre pyetjeve të rëndësishme.

II. Parimet doktrinore

Një vizion global i njeriut

7. Problemi i lindshmërisë, si çdo problem tjetër që lidhet me jetën njerëzore, duhet të konsiderohet, përveç perspektivave të pjesshme – qoftë të një natyre biologjike, psikologjike, demografike apo sociologjike – në dritën e një vizioni integral të njeriut dhe thirrjes së tij, jo vetëm natyrore dhe tokësore, por edhe mbinatyrore dhe të përjetshme. Dhe duke qenë se duke u përpjekur për të justifikuar metodat artificiale të kontrollit të lindjes, shumë kanë bërë thirrje për nevojat e dashurisë martesore dhe atësisë përgjegjëse, është e nevojshme të qartësohet dhe të përcaktohet saktësisht koncepti i vërtetë i këtyre dy realiteteve të mëdha të jetës martesore, duke iu referuar kryesisht asaj që u paraqit në kohët e fundit në këtë drejtim, me autoritetin më të madh, nga Konçili i Dytë i Vatikanit, në kushtetutën baritore Gaudium et spes. [«Në detyrën për ta transmetuar jetën njerëzore dhe për ta edukuar atë, që duhet konsideruar si vetë misioni i tyre, bashkëshortët e dinë se janë bashkëveprues të dashurisë së Hyjit Krijues dhe si përçues të saj. Dhe prandaj do të përmbushin detyrën e tyre me përgjegjësi njerëzore dhe të krishterë… Nga ana tjetër le të jetë e qartë për të gjithë se jeta e njeriut dhe detyra për ta transmetuar atë, nuk kufizohen brenda një harku kohor të caktuar, as nuk mund të maten dhe të kuptohen vetëm në këtë botë, por i përkasin gjithmonë fatit të përjetshëm të njerëzve», (GS 51, krh. KKK 2371; AL 166)].

Dashuria bashkëshortore
8. Dashuria bashkëshortore zbulon natyrën e saj të vërtetë dhe fisnikërinë veçanërisht kur mendohet se origjina e saj supreme, është Perëndia, i cili është “Dashuria” [1Gjn 4,8], i cili është Ati “nga i cili çdo atësi në qiej dhe mbi tokë merr emrin e tij” [Jak 3,17]. Prandaj, martesa nuk është fryt i rastit ose produkti i evolucionit të forcave natyrore të pandërgjegjshme: është një institucion i krijuar me mençuri nga Zoti për të realizuar në njerëzimin e tij projektin e tij të dashurisë. Me dhurimin e tyre të përbashkët personal dhe reciprok, që u takon atyre në mënyre ekskluzive, bashkëshortët priren kah bashkimi intim anasjalltas duke synuar përsosmërinë e tyre personale dhe të njëri-tjetrit, dhe bashkëpunojnë me Perëndinë në lindjen dhe edukimin e jetës së re. Për më tepër, për të pagëzuarit, martesa mban dinjitetin e shenjës sakramentale të hirit, pasi ajo përfaqëson bashkimin e Krishtit dhe kishës.

Karakteristikat e dashurisë bashkëshortore
9. Në këtë dritë shfaqen qartë trajtat dhe kërkesat e dashurisë bashkëshortore, për të cilat duhet të kemi një ide të saktë.Ajo është para së gjithash plotësisht njerëzore, domethënë njëkohësisht e lidhur me shqisat e trupit (e ndjeshme) dhe me shpirtin. Ajo nuk është vetëm një hov i thjeshtë i instinktit dhe i ndjenjës, por është gjithashtu dhe kryesisht një akt i vullnetit të lirë, e caktuar jo vetëm për të qëndruar, por dhe për t’u rritur falë gëzimeve dhe dhimbjeve të jetës së përditshme; në mënyrë që bashkëshortët të bëhen një zemër e vetme dhe një shpirt i vetëm, dhe të arrijnë së bashku kah përsosmëria e tyre njerëzore.Pastaj ajo është dashuri e plotë, domethënë një formë e veçantë e miqësisë personale, në të cilën bashkëshortët ndajnë bujarisht çdo gjë, pa rezerva të panevojshme ose llogaritje egoiste. Ai që e do bashkëshortin e vet nuk e do atë vetëm për sa merr nga ai, por për veten e tij, i lumtur që mund ta pasurojë me dhënien e vetvetes.Ajo është edhe dashuri besnike dhe ekskluzive deri në vdekje. Në fakt, është kështu që dhëndri dhe nusja e kuptojnë ditën kur marrin përkushtimin e lidhjes së martesës lirisht dhe me njohuri të plotë. Askush nuk mund ta mohojë se kjo Besnikëri, e cila nganjëherë mund të jetë e vështirë, është gjithmonë e mundur, gjithmonë fisnike dhe meritë. Shembulli i shumë bashkëshortëve gjatë shekujve tregon jo vetëm se ajo përputhet me natyrën e martesës, por edhe se ajo është burim lumturie i thellë dhe i qëndrueshëm.Më në fund, ajo është dashuri e frytshme, e cila nuk shteron gjithçka në bashkësinë e bashkëshortëve, por është e caktuar të vazhdojë, duke krijuar jetë të reja. «Martesa dhe dashuria bashkëshortore janë nga natyra e tyre të caktuara kah lindja dhe edukimi i fëmijëve. Fëmijët janë me të vërtetë një dhuratë e lartë e martesës dhe kontribuojnë në masë të madhe për të mirën e vetë prindërve» [GS 50].

Atësia e përgjegjshme
10. Prandaj dashuria bashkëshortore kërkon që burrë e grua ta kënë ndërgjegjen për misionin e tyre të “atësisë së përgjegjshme”, mbi të cilën sot për sot njerëzit me të drejtë insistojnë aq shumë. Por ajo duhet gjithashtu të kuptohet në mënyrë të saktë. Ajo duhet të konsiderohet në disa aspekte të ligjshme dhe të ndërlidhura mes tyre. Në lidhje me proçeset biologjike, atësi e përgjegjshme do të thotë njohuri dhe respekt për funksionet e tyre: inteligjenca zbulon në zotësinë e dhënies së jetës disa ligje biologjike që i përkasin personit njerëzor [Sh. Toma, ST I-II, 94, 2].Në lidhje me tendencat e instinktit dhe të pasioneve, atësia e përgjegjshme nënkupton mbizotërimin e duhur që arsyeja dhe vullneti duhet të ushtrojnë mbi ta.Në lidhje me kushtet fizike, ekonomike, psikologjike dhe sociale, atësia e përgjegjshme ushtrohet, qoftë me qëllimin që të rritet një familje e madhe, qoftë me vendimin -marrë për arsye serioze dhe në përputhje me ligjin moral-, të shmangë, përkohësisht ose edhe për një kohë të pacaktuar, një lindje të re.Atësia e përgjegjshme përfshin edhe, e sidomos, një marrëdhënie më të thellë me rregullin objektiv moral, të themeluar nga Hyji, ku ndërgjegjja e drejtë është zëdhënëse e vërtetë. Prandaj, ushtrimi i përgjegjshëm i atësisë nënkupton që bashkëshortët të pranojnë detyrat e tyre ndaj Perëndisë, ndaj vetes, ndaj familjes dhe ndaj shoqërisë, në një hierarki të drejtë vlerash.Pra, në misionin e tyre të transmetimit të jetës, prindërit nuk janë të lirë për të vazhduar plotësisht sipas qejfit të tyre: ata nuk mund të përcaktojnë në mënyrë tërësisht autonome rrugët e ndershme që duhen ndjekur, por duhet të venë aktivitetin e tyre në përputhje me qëllimin krijues të Perëndisë. Ky qëllim shprehet në vetë natyrën e martesës dhe në veprimet e saja, dhe manifestohet me anë të mësimit të vazhdueshëm të kishës [GS 50-51].

Respekt ndaj natyrës dhe qëllimit të aktit martesor
11. Këto akte, me të cilët dy bashkëshortët bashkohen në intimitet dëlirësie, dhe me anë të të cilëve transmetohet jeta njerëzore, janë, siç kujton Koncili i fundit, «fisnike dhe të denjë», dhe nuk reshtin të jenë të ligjshme, nëse, për shkaqe të pavarura nga vullneti i bashkëshortëve, ata do të jenë të pafrytshëm, sepse ata mbeten të caktuar për të shprehur dhe për të konsoliduar bashkimin e tyre. Në fakt, siç dëshmon përvoja, jo nga çdo lidhje bashkëshortore buron një jetë të re. Hyji ka rregulluar me mjeshtëri ligjet natyrore dhe ritmet e pjellorisë që në vetvete distancojnë vazhdimësinë e lindjeve. Por, duke kujtuar njerëzit për respektimin e rregullave të ligjit natyror, interpretuar nga doktrina e saj e vazhdueshme, Kisha na mëson se çdo akt martesor duhet të mbetet i hapur ndaj transmetimit të jetës [krh. Piu XI, Piu XII].

Dy aspekte të pandashme: bashkimi dhe prokrijimi
12. Kjo doktrinë, e shpjeguar shpesh nga Magjisteri i Kishës, është e bazuar në lidhje të pandashme, (që vetë Zoti deshi dhe që njeriu nuk mund t’i thyejë me iniciativën e tij), mes dy kuptimeve të aktit bashkëshortor: domethënia unitive dhe domëthënia jetëprurëse (prokrijimi). Në fakt, nga struktura e tij intime, akti bashkëshortor, ndërsa bashkon më afër burrin dhe gruan, i bën ato të aftë për krijimin e jetëve të reja, në bazë të ligjeve të gdhendura në të qenurit e burrit dhe të gruas. Duke mbrojtur këto dy aspekte thelbësore: atë unitiv dhe atë prokrijues, akti bashkëshortor ruan tërësisht ndjenjën e dashurisë së ndërsjelltë dhe të vërtetë, dhe qëllimin e tij kah thirrja më e lartë e njeriut ndaj atësisë. Ne mendojmë se njerëzit e kohës sonë janë veçanërisht në gjendje të pohojnë karakterin e arsyeshëm dhe njerëzor të këtij parimi themelor.

Besnikëria ndaj synimit të Perëndisë
13. Me të drejtë, kuptohet se një akt bashkëshortor i imponuar bashkëshortit në asnjë respekt, për gjendjen e tij dhe dëshirat e tij të drejta, nuk është një akt i vërtetë i dashurisë dhe për këtë arsye mohon një kërkesë të rendit moral në marrëdhëniet midis

bashkëshortëve. Pra, nëse mendojmë në mënyrë të drejtë, duhet të njohim se një akt i dashurisë reciproke, i cili dëmton gatishmërinë për të transmetuar jetën që Zoti, Krijuesi i të gjitha gjërave në bazë të ligjeve të veçanta ka vendosur atje, është në kundërshtim qoftë me synimin themelor të bashkimit martesor, qoftë me vullnetin e Autorit të jetës njerëzore. Përdorimi i kësaj dhurate hyjnore duke shkatërruar kuptimin dhe qëllimin e saj, qoftë edhe pjesërisht, do të thotë të kundërshtosh natyrën e burrit dhe atë të gruas dhe marrëdhëniet e tyre më intime, dhe për këtë arsye ky përdorim është gjithashtu në kundërshtim me planin e Perëndisë dhe me vullnetin e tij.Përkundrazi, të gëzosh për dhuratën e dashurisë bashkëshortore duke respektuar ligjet e proçesit gjenerues, do të thotë të pranosh që nuk zotëron burimet e jetës njerëzore, dhe të jesh në shërbim të projektit të caktuar nga Krijuesi. Në fakt, njeriu nuk ka një “zotërim” të pakufizuar, as mbi trupin e vet në përgjithësi, as nuk e ka, me arsye të veçantë, mbi aftësitë e tij gjeneruese si të tilla, për shkak të caktimit të tyre të brendshëm kah transmetimi i jetës, për të cilën Hyji është fillimi. «Jeta njerëzore është e shenjtë», – kujtoi Gjoni XXIII, – «që nga lulëzimi i saj i parë, ajo përfshin drejtpërdrejt veprimtarinë krijuese të Perëndisë» [Mater et Magistra, § 181].

Kontrolli i paligjshëm i lindjeve

14. Në përputhje me këto parime themelore të vizionit njerëzor dhe të krishterë mbi martesën, duhet edhe njëherë të deklarojmë se përjashtohet absolutisht si mënyrë e ligjshme për kontrollin e lindjes, ndërprerja e drejtpërdrejtë e proçesit gjenerues tashmë të filluar, dhe sidomos aborti i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë, edhe nëse ndodh për arsye terapeutike.Në mënyrë të barabartë, dënohet – siç ka deklaruar në mënyrë të vazhdueshme magjisteri i Kishës, -sterilizimi i menjëhershëm, i përjetshëm dhe i përkohshëm, i burrit apo i gruas.Në mënyrë të ngjashme përjashtohet edhe çdo veprim që synon, (o në pritje të aktit bashkëshortor, apo në realizimin e tij, apo gjatë zhvillimit të rrjedhojave të tij natyrore), si qëllim o si mjet, pamundësinë e prokrijimit. Përdorimi i kontraceptivëve nuk mund të justifikohet, as duke pretenduar që duhet të zgjidhet e keqja më e vogël, as duke pohuar që akte të tilla përbëjnë një tërësi së bashku me aktet bashkëshortorë pjellorë (tashmë të kryera ose që do të kryhen më vonë), me të cilët ata do të ndajnë një dhe vetëm një mirësi morale.Në fakt, në qoftë se ndonjëherë mund të tolerohet një e keqe më e vogël morale për të shmangur një të keqe më të madhe apo për të promovuar një të mirë më të madhe, kurrë nuk është e lejuar, madje edhe për arsye të rënda, për të bërë të keqen me qëllim që të vijë e mira [krh. Rm 3,8], dmth., që të duash qëllimisht një gjë që është thelbësisht e çrregulluar dhe e padenjë për personin njerëzor, edhe nëse bëhet për të mbrojtur ose për të nxitur disa të mira individuale, familjare ose shoqërore.Prandaj është e gabuar të mendosh se një akt bashkëshortor, i cili bëhet qëllimisht kontraceptiv, dhe pra thelbësisht imoral, mund të bëhet i drejtë për shkak të tërësisë së një jete pjellore bashkëshortore.

Mjetet terapeutike të pranueshme
15. Kisha, megjithatë, nuk e konsideron fare të paligjshëm përdorimin e mjeteve terapeutike me të vërtetë të nevojshme për të kuruar sëmundjet e organizmit, edhe në qoftë se rezultati i këtyre terapive mund të bëhet një pengesë, edhe pse e pritur, për riprodhimin, me kusht që kjo pengesë të mos jetë, për çfarëdo arsye, e dashur vullnetarisht.

Mund të përdoren periudhat jopjellore
16. Ky mësim i Kishës mbi moralin bashkëshortor, sot kundërshtohet,

ashtu siç kemi vërejtur më lart (n. 3), që është një prerogativë e inteligjencës njerëzore që të sundojë energjitë e ofruara nga natyra irracionale dhe t’i drejtojë njerëzit kah një qëllim në dobi të së mirës së tij. Tani, ngrihet pyetja: në këtë rast, a thua nuk është e arsyeshme të lejohet, në shumë rrethana përdorimi i kontrollit artificial i lindjeve, në qoftë se ai mundëson harmoninë dhe paqen e familjes, si dhe kushte më të mira për arsimimin e fëmijëve tashmë të lindur? Kësaj pyetjeje duhet të përgjigjemi në mënyrë të qartë: Kisha është e para që lëvdon dhe rekomandon ndërhyrjen e inteligjencës njerëzore në një punë, e cila bashkon në mënyrë kaq të ngushtë krijesën njerëzore me Krijuesin e saj, por thekson se kjo duhet të bëhet duke respektuar ‘rendin e caktuar’ nga Perëndia.Nëse, pra, ka arsye serioze (që rrjedhin nga kushtet fizike apo psikologjike të bashkëshortëve, apo nga kushtet e jashtme) për të distancuar lindjet, Kisha mëson se lejohet që të merren parasysh ritmet natyrore të funksioneve gjeneruese për të kryer aktin seksual vetëm në periudha jopjellore dhe kështu të rregullohet lindshmëria pa cënuar parimet morale, që i kujtuam më sipër.Kisha është në përputhje me veten, kur e konsideron të pranueshme përdorimin e periudhave jopjellore, ndërsa ajo dënon si gjithmonë të paligjshme përdorimin e mjeteve që kundërshtojnë drejtpërdrejt fekondimin, edhe në qoftë se ky përdorim justifikohet nga arsye që mund të duken të sinqerta dhe serioze. Në fakt, mes dy rasteve ka një ndryshim thelbësor: në rastin e parë, bashkëshortët përfitojnë ligjërisht një prirje natyrale; në rastin tjetër ata pengojnë zhvillimin e proçeseve natyrore. Është e vërtetë se, në të dyja rastet, bashkëshortët kanë vullnetin të shmangin pasardhësit për arsye bindëse, duke kërkuar sigurinë se fëmijët nuk do të lindin; por është gjithashtu e vërtetë se vetëm në rastin e parë ata dinë të heqin dorë nga aktet bashkëshortore gjatë periudhave pjellore, kur për arsye të drejta, prokrijimi nuk është i dëshirueshëm; ndërsa, në kohën e periudhave jopjellore, ata kanë marrëdhënie me qëllim që të manifestojnë dashurinë e tyre reciproke dhe të ruajnë besnikërinë e premtuar njëri-tjetrit.Duke vepruar kështu ata japin dëshmi për një dashuri të vërtetë dhe krejtësisht të ndershme.

Pasojat serioze të metodave artificiale të kontrollit të lindjes
17. Njerëzit e drejtë do të jenë akoma më të bindur për vlerën e doktrinës së Kishës në këtë fushë, nëse duan të reflektojnë mbi pasojat e metodave artificiale të kontrollit të lindshmërisë. Le të mendohet, para së gjithash, sesa larg dhe sa e gjerë do të hapet dera e pabesnikërisë bashkëshortore dhe e rënies së përgjithshme të moralitetit.Nuk nevojtet shumë përvojë për të njohur dobësinë e njeriut dhe për të kuptuar se njerëzit – sidomos të rinjtë,

aq të prekshëm në këtë pikë – kanë nevojë për inkurajim që të jenë besnikë ndaj ligjit moral, dhe nuk duhet t’iu ofrohet një mënyrë më e lehtë për të anashkaluar zbatimin e tij. Mund të parashikohet edhe me frikë se burri, i mësuar me përdorimin e metodave kontraceptive, do të përfundojë të harrojë respektimin e gruas dhe, pa marrë parasysh ekuilibrin e saj fizik dhe emocional, ta konsiderojë si një vegël të thjeshtë kënaqësie egoiste, dhe jo më si shoqen e tij, të respektuar dhe të dashur.Të mendohet edhe mbi zotërimin e rrezikshëm që do të vihet në duart e Autoriteteve publike, të cilat nuk kujdesen për kërkesat morale. Kush mund të qortojë një qeveri, që të aplikojë për zgjidhjen e problemeve të komunitetit, atë që është e ligjshme për bashkëshortët në zgjidhjen një problemi familjar? Kush do të parandalojë që qeveritarët t’i nxisin madje t’i imponojnë popujve të tyre, sa herë që e konsiderojnë të nevojshme, metodën e kontracepsionit që i gjykojnë më efikase? Kështu njerëzit, duke dashur të shmangin vështirësitë individuale, familjare ose sociale, që hasen me respektimin e ligjit hyjnor, do të arrijnë që të lënë në dorën e ndërhyrjes së Autoriteteve publike misionin më personal dhe më të rezervuar të intimitetit bashkëshortor.Prandaj, nëse nuk duam që misioni prokrijues t’i lihet qejfit njerëzor, duhet domosdoshmërisht të njohim kufijtë e pakapërcyeshëm të zotërimit që njeriu mund të ketë mbi trupin e vet dhe mbi aftësitë e tij”; kufijtë që asnjë njeri, qoftë privat, qoftë i pajisur me autoritet, nuk mund t’i thyejë. Dhe këto kufizime mund të përcaktohen vetëm nga respekti i duhur ndaj integritetit të trupit njerëzor dhe të funksioneve të tij natyrore, sipas parimeve të përmendura më lart dhe sipas inteligjencës së drejtë të “parimit të tërësisë”, ilustruar nga paraardhësi ynë, Piu XII.`

Kisha, garante e vlerave autentike njerëzore
18. Mund të pritet që ky mësim të mos pranohet lehtësisht nga të gjithë: ekzistojnë shumë zëra, që marrin shtysë nga mjetet moderne të propagandës, të cilat janë në kundërshtim me zërin e kishës. Në të vërtetë, ajo nuk befasohet, që të bëhet e ngjashme me themeluesin e saj hyjnor, “shenjë e kundërshtimit” [Lk 2,34], e prapëseprapë ajo vazhdon ta shpallë me përvuajtëri, por edhe në mënyrë të vendosur, të gjithë ligjin moral, qoftë natyror e qoftë ungjillor. Kisha nuk është autore e këtij ligji, e as nuk mund të konsiderohet gjykatëse e tij; ajo është vetëm një kujdestare dhe një shtjelluese e tij dhe ajo nuk mund ta deklarojë kurrë të ligjshme atë që nuk është e drejtë, dmth., atë, që është në kundërshtim të brendshëm dhe të pandryshueshëm me të mirën e vërtetë të njeriut.Duke mbrojtur moralin martesor në tërësinë e tij, Kisha e di se ajo kontribuon në krijimin e një qytetërimi me të vërtetë njerëzor; ajo angazhon njeriun që të mos heqë dorë nga përgjegjësia e tij për t’iu dorëzuar mjeteve teknike; ajo mbron kështu dinjitetin e bashkëshortëve. Besnike ndaj mësimit të Shpëtimtarit, ajo dëftohet si e para mikeshë e sinqertë dhe pa interes e njerëzve, të cilët ajo dëshiron t’i ndihmojë, që nga udhëtimi i tyre tokësor, për “të marrë pjesë si bij në jetën e Hyjit të gjallë, Ati i të gjithë njerëzve” [Pali VI, PP 21].

III. UDHËZIME PASTORALE
Kisha, “nënë dhe mësuese”
19. Që mësimi ynë të shpreh me të vërtetë mendimin dhe përkujdesjen e Kishës – Nënë dhe Mësuese e të gjitha kombeve – duhet që pas i kemi thirrur për respekt dhe zbatim të ligjit hyjnor në lidhje mbi martesën, t’i mbështesim edhe njerëzit për të rregulluar në menyrë të ndershme numrin e fëmijëve, edhe në mes të kushteve të vështira që familjet dhe popujt sprovojnë në ditët tona. Në të vërtetë, Kisha nuk mund të ketë ndonjë sjellje tjetër ndaj njerëzve, sesa atë të Shëlbuesit: ajo i njeh dobësitë e tyre, ajo ka dhembshuri për turmën, mirëpret mëkatarët; por nuk mund të heqë dorë nga mësimi i ligjit, i cili është në fakt një ligj, që i përket një jete njerëzore të rivendosur në të vërtetën e saj origjinale dhe të udhëhequr nga Shpirti i Perëndisë [Krh. Rm 8].

Eshtë e mundur të respektosh ligjin hyjnor
20. Është e qartë se Doktrina e Kishës mbi rregullimin e lindshmërisë, e cila shpall ligjin hyjnor, do të duket për shumë njerëz e vështirë apo edhe e pamundur për t’u zbatuar. Dhe sigurisht, si të gjitha realitetet e mëdha dhe mirëprurëse, ajo kërkon një angazhim serioz dhe shumë përpjekje individuale, familjare dhe sociale. Bile, nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e Zotit, i cili mbështet dhe përforcon vullnetin e mirë të njerëzve. Por, për ata që reflektojnë mirë, do të dalë në pah se përpjekjet e tilla fisnikërojnë njeriun dhe janë në dobi të komunitetit njerëzor.

Vetëpërmbajtja
21. Një praktikë e ndershme dhe e sinqertë e rregullimit të lindshmërisë, kërkon më së pari që burri dhe gruaja të kenë një bindje të fortë në lidhje me vlerat e vërteta të jetës dhe të familjes, por edhe që të synojnë të fitojnë një vetë-zotërim të përsosur. Zotërimi i instinktit, me anë të arsyes dhe të vullnetit, kërkon pa dyshim një asketizëm, në mënyrë që manifestimet afektive të jetës bashkëshortore të përputhen me rendin moral, dhe në mënyrë të veçantë për sa i përket zbatimit të vetëpërmbajtjes periodike.Por kjo disiplinë, e përshtatshme për pastërtinë e nuses dhe të dhëndrit, në vend që të dëmtojë dashurinë martesore, i jep asaj një vlerë më të lartë njerëzore. Ajo kërkon përpjekje të vazhdueshme, por në sajë të ndikimit të saj mirëprurës, burri e gruaja rrisin në dy dhe ngadalë personalitetin e tyre, duke u pasuruar me vlera shpirtërore. Kjo disiplinë i jep jetës familjare frytet e qetësisë dhe të paqes, dhe lehtëson zgjidhjen e problemeve të tjera; ajo nxit vëmendjen për partnerin; ndihmon të dyja palët për të përjashtuar egoizmin, “armikun” e dashurisë së vërtetë, dhe thellon ndjenjën e tyre të përgjegjësisë. Me këtë disiplinë, prindërit fitojnë aftësinë për të ndikuar në menyrë më të thellë dhe më efikase në edukimin e fëmijëve; fëmijët dhe të rinjtë rriten në vlerësimin e duhur të vlerave njerëzore dhe në zhvillimin paqësor e harmonik të aftësive të tyre shpirtërore dhe të ndjeshme.

Që të krijohet një ambient i favorshëm për dëlirësinë
22. Ne duam, me këtë rast, që të tërhiqet vëmendja e edukatorëve dhe e atyre që kryejnë detyrat e përgjegjësisë në lidhje me të mirën e përbashkët të shoqërisë njerëzore, mbi nevojat për të krijuar një atmosferë të favorshme për edukimin në dëlirësi, në mënyrë që liria e shëndetshme të triumfojë mbi lirinë e çrregullt, duke respektuar rendin moral.Të gjitha gjërat, që në mediat moderne të komunikimit social nxisin shqisat, shfrenimin e sjelljes, si dhe çdo formë të pornografisë ose spektakleve imorale, duhet të ngjallin reagimin e sinqertë dhe të njëzëshëm te të gjithë njerëzve, që kanë përzemër përparimin e qytetërimit dhe mbrojtjen e vlerave supreme të shpirtit njerëzor. Do të ishte e kotë që të kërkohet një justifikim për këto praktika imorale me të ashtuquajturat kërkesa të shthurjes artistike o shkencore, as nuk mund të argumentohet duke marrë shkasmbi lirinë e lejuar në këtë sektor nga Autoritetet publike [krh. Vat. II, IM 6-7].

Apelim ndaj Autoriteteve publike
23. Për qeveritarët, të cilët janë përgjegjësit e parë për të mirën e përbashkët dhe mund të bëjnë shumë për të ruajtur zakonet morale, ne themi: mos lini që të degradojë moraliteti i popullit tuaj; mos pranoni praktikat, në kundërshtim me ligjin natyror dhe hyjnor, të hyjnë ligjërisht në qelizën themelore të shtetit, që është familja. Ka një mënyrë tjetër, me të cilën autoritetet publike mund dhe duhet të kontribuojnë në zgjidhjen e problemit demografik: bëhet fjalë për një politikë familjare të matur, për një arsim të mençur të popujve, që respekton ligjin moral dhe lirinë e qytetarëve.Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë serioze me të cilat përballen autoritetet publike në këtë drejtim, veçanërisht në vendet në zhvillim. Në lidhje me shqetësimet e tyre të ligjshme, ne e shkruam enciklikën tonë Populorum progressio[1967]. Por, me paraardhësin tonë papa Gjoni XXIII, ne përsërisim: “Këto vështirësi duhet të tejkalohen jo duke përdorur metoda dhe mjete, të cilat janë të padenja për njeriun dhe të cilat varen vetëm nga një konceptim krejtësisht materialist i vetë njeriut dhe i jetës së tij. Zgjidhja e vërtetë qëndron vetëm në zhvillimin ekonomik dhe në përparimin shoqëror, të cilat respektojnë dhe promovojnë vlerat e vërteta njerëzore individuale dhe sociale” [MeM § 179].Do të ishte një padrejtësi shumë e rëndë të konsiderohet Provania hyjnore, përgjegjëse për atë, që varet në fakt nga një mangësi urtësie e qeverisë, nga një kuptim i pamjaftueshëm i drejtësisë sociale, nga fitime egoiste ose nga përtacia e dënueshme për të bërë përpjekjet dhe sakrificat e nevojshme për të siguruar rritjen e nivelit të jetës së një populli dhe të gjithë fëmijëve të tij.Që të gjitha Autoritetet kompetente përgjegjëse – siç disa tashmë e bëjnë me lavdërim – duhet të vazhdojnë bujarisht përpjekjet e tyre. Dhe që të mos ndërpritet shtrirja e ndihmës reciproke midis të gjithë anëtarëve të familjes së madhe njerëzore: është një fushë pothuajse e pafundme, që hapet për aktivitetet e organizatave të mëdha ndërkombëtare.

Njerëzve të shkencës
24. Ne dëshirojmë tani për të shprehur inkurajimin tonë për njerëzit e shkencës, të cilët “mund të japin një kontribut të madh për mirëqënien e martesës dhe të familjes, dhe gjithashtu për paqen e ndërgjegjes, në qoftë se, duke bashkuar studimet e tyre do të kërkojnë për të shpjeguar më hollësisht kushtet e ndryshme, të cilat nxisin një rregullim të ndershëm të lindshmërisë njerëzore” [krh. GS 52]. Në veçanti, është e dëshirueshme që, sipas dëshirës së Piut XII, shkenca mjekësore të jetë në gjendje të ofrojë një bazë mjaft të sigurtë për rregullimin e lindjeve, të bazuar në respektimin e ritmeve natyrore [AAS 43/1951, 859]. Kështu njerëzit e shkencës, dhe sidomos shkencëtarët katolikë do të kontribuojnë për të demonstruar në praktikë se, siç mëson Kisha, “nuk mund të ketë kontradiktë të vërtetë mes ligjeve hyjnore, që kanë të bëjnë me transmetimin e jetës dhe ata që që favorizojnë një dashuri bashkëshortore të vërtetë” [GS 51].

Bashkëshortëve të krishterë
25. Dhe tani fjala jonë u drejtohet më drejtpërdrejt fëmijëve tanë, veçanërisht atyre që Perëndia i thërret për t’i shërbyer atij në martesë. Kisha, duke mësuar kërkesat e pashmangshme të ligjit hyjnor, shpall shpëtimin dhe hap me sakramentet rrugën e hirit. Ky hir e bën njeriun një krijesë të re, të aftë për t’u përgjigjur me dashurinë dhe me lirinë e vërtetë ndaj Krijuesit dhe Shpëtimtarit të tij dhe për të gjetur të ëmbël zgjedhën e Krishtit [Mt 11,30].Prandaj bashkëshortët e krishterë, të bindur ndaj zërit të tij, le të kujtojnë se thirrja e tyre e krishterë filloi me pagëzimin, u caktua dhe u forcua më tej me sakramentin e martesës. Nëpërmjet këtij sakramenti, ata janë përforcuar dhe shenjtëruar për të kryer me besnikëri detyrat e tyre, për të zbatuar thirrjen e tyre drejt

përsosmërisë, dhe për të dhënë dëshmimin e tyre të krishterë përballë botës. Atyre Zoti ua beson misionin, që të bëjnë të dukshme për njerëzit shenjtërinë dhe ëmbëlsinë e ligjit, që bashkon dashurinë e ndërsjelltë të bashkëshortëve me bashkëpunimin e tyre me Hyjn, autorin e jetës njerëzore.Ne nuk synojmë aspak për të fshehur vështirësitë, nganjëherë serioze, që i përkasin jetës bashkëshortore të krishterë: për ta, si për të gjithë, dera është e ngushtë dhe e ngushtë edhe rruga që çon në jetë” [Mt 7,14]. Por shpresa e kësaj jete duhet ta ndriçojë udhëtimin e tyre, ndërsa me guxim përpiqen të jetojnë me mençuri, drejtësi dhe dhembshuri në kohën e tanishme [Ti 2,12], duke e ditur se trajta e kësaj bote po kalon [1Kor 7,31].Nusja dhe dhëndri le t’i bëjnë përpjekjet e nevojshme, të mbështetur nga besimi dhe shpresa që “nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit është derdhur në zemrat tona me anë të Shpirtit të Shenjtë, që na është dhënë” [Rm 5,5]; le të lypin ndihmën hyjnore me lutje të vazhdueshme; dhe mbi të gjitha le të nxjerrin nga burimi i pashtershëm i Eukaristisë hirin e dashurisë.Dhe në qoftë se mëkati do të sundojë ende mbi ta, le të mos shkurajohen, por le te drejtohen me këmbëngulje të përulur ndaj mëshirës së Perëndisë, e cila jepet me bollëk në sakramentin e pendesës. Ata do të jenë në gjendje të arrijnë kështu plotësinë e jetës bashkëshortore, të cilën Apotulli e përshkruan kështu: “Ju, o burra, duajini gratë tuaja sikurse Krishti e ka dashur Kishën dhe e ka flijuar vetveten për të (…) Në këtë mënyrë duhet që edhe burrat t’i duan gratë e veta porsi trupin e vet. Kush e do gruan e vet, do vetveten. Sepse kurrë, askush nuk e urren trupin e vet, por e ushqen dhe kujdeset për të, porsi Krishti për Kishën (…) Ky është mister i madh: e kam fjalën në lidhjen e Krishtit me Kishën. Shkurt, për sa u përket juve, secili prej jush le ta dojë gruan e vet porsi vetveten e gruaja le ta nderojë burrin e vet” [Ef 5,25vv].

Apostullimi mes vatrave
26. Ndër frytet, që rrjedhin nga një përpjekje bujare e besnikërisë ndaj ligjit hyjnor, një nga më të çmueshmet është se vetë bashkëshortët, jo rrallë, ndiejnë dëshirën për të komunikuar me të tjerët përvojën e tyre. Kështu shfaqet, në kuadrin më të gjerë të thirrjes së laikëve, një formë e re dhe e shquar e apostullimit “të ngjashmit drejt të ngjashmit”: janë vetë çiftet e martuara, të cilat janë apostuj dhe udhëzojnë çiftet e tjera të martuara. Kjo është sigurisht një ndër format e shumta të apostullimit, që sot duket më e përshtatshme [krh. LG 35. 41; GS 48v; AA 11].

Mjekëve dhe personelit shëndetësor
27. Kemi një vlerësim shumë të madh ndaj mjekëve dhe anëtarëve të personelit shëndetësor, të cilët në ushtrimin e profesionit të tyre, kanë për zemër – më shumë sesa thjesht interesin e tyre njerëzor – kërkesat më të larta të thirrjes së tyre të krishterë. Prandaj, le të këmbëngulin në promovimin e zgjidhjeve të frymëzuara nga besimi dhe arsyeja e vërtetë, dhe le të përpiqen që këto zgjidhje të kuptohen dhe të respektohen në mjedisin e tyre. Gjithashtu le ta konsiderojnë si detyrën e tyre profesionale që të fitojnë të gjithë shkencën e nevojshme në këtë sektor delikat, në mënyrë që të jenë në gjendje t’ua japin bashkëshortëve, që konsultojnë këshillat e mençura dhe udhëzimet e shëndosha, që ata me të drejtë po presin.

Priftërinjve
28. Të dashur bij meshtarë, të cilët me anë të thirrjes jeni këshilltarë dhe udhëzues shpirtërorë të njerëzve individualë dhe të familjeve, ne tani ju drejtohemi juve me besim. Detyra juaj e parë – sidomos për ata që mësojnë teologjinë morale – është ta vini në pah në mënyrë të qartë mësimin e Kishës mbi martesën. Bëhuni të parët që të jepni, në ushtrimin e shërbimit tuaj, shembullin e një miratimi besnik, të brendshëm dhe të jashtëm, ndaj magjisterit të Kishës. Një miratim i tillë, siç e dini mirë, ju detyron jo vetëm për shkak të arsyeve të sjella, por më tepër për shkak të dritës së Shpirtit të Shenjtë, me të cilën janë të pajisur posaçërisht barinjtë e Kishës për të shtjelluar të vërtetën [krh. LG 25]. Ju e dini gjithashtu, se është e një rëndësie të madhe, për paqen e ndërgjegjes dhe për unitetin e popullit të krishterë, që në fushën morale, si në atë të dogmës, të gjithë të bashkohen me Magjisterin e Kishës dhe të flasin të njëjtën gjuhë. Për këtë arsye, me gjithë zemrën tonë, ne rinovojmë për ju lutjen e përzemërt të Apostullit të madh, Palit: “ Ju përbej, o vëllezër, pashë Emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit: jini të gjithë një mendimi e të mos ketë përçarje ndër ju, por të jeni në përkim të plotë në ndjenja e në mendime” [1Kor 1,10].

29. Mos zvogëlimi i doktrinës së shëndetshme të Krishtit është një formë e shquar e dashurisë ndaj shpirtrave. Por kjo duhet gjithmonë të shoqërojë durimin dhe mirësinë, për të cilat Shëlbuesi ka dhënë shembull në trajtimin e njerëzve. I ardhur jo për të gjykuar, por për të shpëtuar, Ai ishte pa kompromis me të keqen, por plot durim dhe i mëshirshëm ndaj mëkatarëve.Që në vështirësitë e tyre, bashkëshortët le të gjejnë gjithmonë në fjalët dhe zemrën e meshtarëve, jehonën e zërit dhe të dashurisë së Shëlbuesit.Pastaj flisni me besim, bij të dashur, plotësisht të bindur se Shpirti i Hyjit jo vetëm ndihmon Magjisterin në propozimin e doktrinës, por edhe ndriçon brenda zemrat e besimtarëve duke i ftuar që ta japin miratimin e tyre. Mësojuni çifteve të martuara mënyrën e duhur të lutjes; përgatitni ato për t’iu drejtuar shpesh dhe me besim të madh Sakramenteve të Eukaristisë dhe të Pendesës, duke mos lënë që të shkurajohen për shkak të dobësisë së tyre.

Ipeshkvijve /Peshkopëve
30. Të dashur e të nderuar vëllezër në episkopat, me të cilët ne ndajmë më nga afër kujdesin e të mirën shpirtërore të Popullit të Hyjit; Juve, ju shkojnë mendimet tona nderuese dhe të dashura në fund të kësaj enciklike. Ne të gjithë jua drejtojmë një apel të ngutshëm. Në krye të priftërinjve tuaj, bashkëpunëtorëve të shërbesës së shenjtë dhe besimtarëve tuaj, punoni me entuziazëm dhe vazhdimisht për ruajtjen dhe për shenjtërinë e martesës, në mënyrë që ajo të mund të jetohet gjithmonë e më shumë në gjithë plotësinë e saj njerëzore dhe krishterë. Konsiderojeni këtë mision si një nga përgjegjësitë tuaja më të ngutshme në kohën e tanishme. Ai përfshin, siç e dini, një veprim të përbashkët baritor në të gjitha fushat e njeriut: të aktiviteteve ekonomike, të kulturës dhe asaj shoqërore. Në fakt, vetëm një përmirësim i njëkohshëm në këta sektorë të ndryshëm do ta bëjë jo vetëm të tolerueshme, por më të lehtë dhe të gëzueshme jetën e prindërve dhe të fëmijëve brenda familjes, më vëllazërore dhe paqësore bashkëjetesën në shoqërinë njerëzore, në besnikëri ndaj planit të Hyjit në botë.

APELI PËRFUNDIMTAR
31. Vëllezër të nderuar, bij të dashur, dhe të gjithë ju, njerëz vullnetmirë, e madhe është puna e edukimit, e progresit dhe e dashurisë për të cilën ne ju thërrasim, e bazuar në doktrinën e palëkundur të Kishës, së cilës pasardhësi i Pjetrit është, me vëllezërit e tij në episkopatin katolik, kujdestar besnik dhe përcjellës. Është një punë e madhe për të vërtetën, kemi bindjen e brendshme për botën sa për Kishën, sepse njeriu nuk mund të gjejë lumturinë e vërtetë kah e cila ai synon me gjithë qënien e tij, përveçse në respektimin e ligjeve të shkruara nga Zoti në natyrën e tij dhe se ai duhet ta respektojë me inteligjencë dhe dashuri. Në këtë punë ne kërkojmë, si për ju të gjithë, dhe sidomos për çiftet e martuara, bollëkun e hireve hyjnore të shenjtërisë dhe të mëshirës, si një peng i të cilave ne ju japin bekimin tonë apostolik.I dhënë në Romë, në Shën Pjetër, në festën e Shën Jakobit Apostull, 25 korrik 1968, viti i gjashtë i papatit tonë.

PALI PP. VI



frerecharles

Po Iëshohem krejtësisht – Charles De Foucauld

Gianna_Beretta_Molla

Jetëshkrimi i Shën Gianna Beretta Molla