Unë besoj në hyjin atë
Simbolet e fesë
33. Çfarë janë Simbolet e fesë?
Janë formula të ndërthurura, që quhen edhe «Shpallje feje» ose «Besojma», me të cilat Kisha, që prej fillimit të saj, e ka shprehur përmbledhtazi dhe e ka përçuar fenë e vet me një gjuhë normative, të përbashkët për të gjithë besimtarët.
34. Cilët janë Simbolet më të hershme të fesë?
Janë Simbolet pagëzimore. Meqenëse Pagëzimi jepet «Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt» (Mt 28,19), të vërtetat e fesë të shpallura aty janë të ndërthurura duke iu referuar tre Personave të së Shenjtërueshmes Trini.
35. Cilët janë Simbolet më të rëndësishëm të fesë?
Ata janë Besojma Apostolike, që është Simboli i hershëm pagëzimor i Kishës së Romës, dhe Besojma niceo-konstandinopolitane, fryt i dy Koncileve të para Ekumenike të Nicesë (325) dhe të Konstandinopojës (381), edhe sot e përbashkët për të gjitha Kishat e mëdha të Lindjes dhe të Perëndimit.
Unë besoj në hyjin atë
«UNË BESOJ NË HYJIN, ATIN E GJITHËPUSHTETSHËM, KRIJUESIN E QIELLIT E TË TOKËS»
36. Përse shpallja e fesë fillon me «Unë Besoj në Hyjin»?
Sepse pohimi «Besoj në Hyjin» është më i rëndësishmi, burimi i të gjitha të vërtetave të tjera mbi njeriun, mbi botën dhe i krejt jetës së çdo besimtari në Të.
37. Përse shpallim një Hyj të vetëm?
Sepse Ai i është zbuluar popullit të Izraelit si i Vetmi kur tha: «Dëgjo, Izrael, Zoti është një i Vetëm» (Lp 6,4), «e tjetër s’ka» (Is 45,22). Jezusi vetë ka pohuar: Hyji është «një Zot i vetëm» (Mk 12,29). Të shpallësh se Jezusi dhe Shpirti Shenjt janë edhe ata Hyj dhe Zot nuk sjell asnjë ndarje në Hyjin Njini.
38. Me çfarë emri zbulohet Hyji?
Moisiut Hyji iu zbulua si Hyji i gjallë, «Unë jam Hyji i atit tënd Abrahamit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit» (Dal 3,6). Po Moisiut Hyji i zbulon Emrin e Vet të mistershëm «Unë Jam Ai që Jam (YHWH)». Emri i pashprehshëm i Hyjit qysh në kohët e Besëlidhjes së Vjetër qe zëvendësuar prej fjalës Zot. Kështu në Besëlidhjen e Re, Jezusi, i quajtur Zot, shfaqet si Hyj i vërtetë.
39. Vetëm Hyji «është»?
Ndërsa krijesat kanë marrë prej Hyjit gjithçka që janë dhe që kanë, vetëm Hyji është në vetvete plotësia e qenies dhe e çdo përsosmërie. Ai është «Ai që është» pa fillim dhe pa mbarim. Jezusi zbulon se edhe Ai mban Emrin hyjnor: «Unë jam» (Gjn 8,28).
40. Përse është e rëndësishme zbulesa e emrit të Hyjit?
Duke zbuluar emrin e Vet, Hyji i bën të njohura pasuritë që përmbahen në misterin e Vet të pashprehshëm: vetëm Ai është, qysh prej amshimit e përgjithmonë. Ai që tejkalon botën dhe historinë. Është Ai që ka bërë qiellin e tokën. Është Hyji besnik, gjithmonë afër popullit të Vet për ta shpëtuar atë. Është Shenjti në mënyrë të përsosur, «i pasur me mëshirë» (Ef 2,4), gjithmonë i gatshëm për të falur. Është Qenia shpirtërore, transhendente, e gjithëpushtetshme, e amshuar, personale, e përkryer. Është e vërteta dhe dashuria.«Hyji është qenia pafundësisht e përsosur, që është e Shenjtërueshmja Trini»(Shën Toribi i Mogrovejit).
41. Në ç’kuptim Hyji është e vërteta?
Hyji është vetë e Vërteta dhe si i tillë nuk mashtrohet dhe nuk mund të mashtrojë. Ai «është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësire» (1 Gjn 1,5), Biri i amshuar i Hyjit, Urtia e mishëruar, është dërguar në botë «për të dëshmuar të vërtetën» (Gjn 18,37).
42. Në ç’mënyre Hyji zbulon se Ai është dashuri?
Hyji i zbulohet Izraelit si Ai që ka një dashuri më të fortë se një baba apo një nënë për bijtë e vet ose se një bashkëshort për bashkëshorten e vet. Ai në vetvete «është Dashuri» (1 Gjn 4,8.16), që dhurohet plotësisht dhe falas dhe që «aq fort e deshi botën sa që e dha një të vetmin Birin e Vet, kështu që, secili që beson në Të, të mos birret» (Gjn 3,16-17). Duke dërguar Birin e Vet dhe Shpirtin Shenjt, Hyji zbulon se Ai vetë është shkëmbim i amshuar dashurie.
43. Çfarë rrjedh nga të besuarit në një Hyj të vetëm?
Nga të besuarit në Hyjin, të Vetmin, rrjedh: të njohurit e madhështisë dhe të madhërisë së Tij; të jetuarit në falënderim; të besuarit Atij gjithmonë, edhe në fatkeqësi; të vlerësuarit e njësisë dhe të dinjitetit të vërtetë të të gjithë njerëzve të krijuar në përngjasim të Tij; të përdorurit si duhet të gjërave të krijuara prej Tij.
44. Cili është misteri qendror i fesë dhe i jetës së krishterë?
Misteri qendror i fesë dhe i jetës së krishterë është misteri i të Shenjtërueshmes Trini. Të krishterët pagëzohen në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt.
45. A mund të njihet misteri i të Shenjtërueshmes Trini vetëm me anë të arsyes njerëzore?
Hyji ka lënë gjurmë të qenies së Trinisë në krijim dhe në Besëlidhjen e Vjetër, por brendësia e Qenies së Tij si Trini e Shenjtë përbën një mister të paarritshëm vetëm me anë të arsyes njerëzore, si edhe për fenë e Izraelit, para Mishërimit të Birit të Hyjit dhe të dërgimit të Shpirtit Shenjt. Ky mister është zbuluar prej Jezu Krishtit dhe është burimi i të gjithë mistereve të tjerë.
46. Çfarë na zbulon Jezu Krishti nga misteri i Atit?
Jezu Krishti na zbulon se Hyji është «Atë», jo vetëm sepse është Krijues i gjithësisë dhe i njerëzimit, por sidomos sepse lind prej amshimit Birin, në kraharorin e Vet, që është Fjala e Tij, «bredhja [rrezatimi i] e Lavdisë dhe vula e qenies së Hyjit» (Heb 1,3).
47. Kush është Shpirti Shenjt, që na u zbulua nga Jezu Krishti?
Është Personi i tretë i të Shenjtërueshmes Trini. Është Hyj, një dhe i barabartë me Atin e me Birin. Ai «buroj prej Atit» (Gjn 15,26), i cili, fillim pa fillim, është zanafilla e krejt jetës së Trinisë. Dhe rrjedh edhe prej Birit (Filioque), falë dhurimit të amshuar që Ati i bën Birit. I dërguar prej Atit dhe prej Birit të mishëruar, Shpirti Shenjt udhëheq Kishën «për ta njohur tërë të vërtetën» (Gjn 16,13).
48. Si e shpreh Kisha fenë e vet trinitare?
Kisha e shpreh fenë e vet trinitare duke dëshmuar një Hyj të vetëm në tre Persona: Ati e Biri e Shpirti Shenjt. Tre Personat hyjnorë janë një Hyj i vetëm, sepse secili prej tyre është identik me plotësinë e të njëjtës natyrë hyjnore të vetme dhe të pandashme. Ata janë realisht të dalluar mes tyre, falë lidhjeve që kanë me njëri-tjetrin: Ati lind Birin, Biri lind prej Atit, Shpirti Shenjt rrjedh prej Atit e prej Birit*.
49. Si veprojnë tre Personat hyjnorë?
Të pandarë në substancën e tyre të vetme, Personat janë të pandarë edhe në veprimin e tyre: Trinia ka një veprim të vetëm e të njëjtë. Por, në të vetmin veprim hyjnor, çdo Person është i pranishëm sipas veçorisë përkatëse në Trini.
«O Hyji im, Trini që adhuroj… qetësoje shpirtin tim: bëje qiellin Tënd, banesën Tënde të dashur dhe vendin e pushimit Tënd. Mos të lënsha kurrë vetëm, por qofsha aty, me gjithë veten time, krejt syçelë në besimin tim, krejt adhuruese, krejt e kushtuar ndaj veprimit Tënd krijues» (Elizabeta e Trinisë)