in

13 pyetje (dhe përgjigje) për Zotin

question-mark-3255140_1280
Foto nga Arek Socha nga Pixabay

Trembëdhjetë pyetje dhe përgjigje të marra nga Përmbledhja e Katekizmit të Kishës Katolike, botuar nga Benedikti XVI.

* * *

18. Pse Shkrimi i Shenjtë mëson të vërtetën?

Sepse vetë Hyji është autori i Shkrimit të Shenjtë: prandaj ai quhet i frymëzuar dhe mëson pa gabim ato të vërteta që janë të nevojshme për shëlbimin tonë. Në të vërtetë, Shpirti Shenjt i frymëzoi autorët njerëzorë, të cilët shkruan atë që Ai deshi të na mësonte. Megjithatë, feja e krishterë nuk është «një fe e Librit», por e Fjalës së Hyjit, e cila nuk është «një fjalë e shkruar dhe e heshtur, por Fjala e mishëruar dhe e gjallë» (Shën Bernardi i Clairvaux-së).

58. Pse Hyji e lejon të keqen?

Feja na jep sigurinë se Hyji nuk do ta lejonte të keqen, nëse prej së keqes nuk do të nxirrte të mirën. Hyji e ka realizuar tashmë këtë në mënyrë të mrekullueshme me rastin e vdekjes dhe të ngjalljes së Krishtit: në të vërtetë, prej së keqes më të madhe morale, vrasjes së Birit të vet, Ai nxori të mirat më të mëdha: lavdërimin e Krishtit dhe shëlbimin tonë.

117. Kush është përgjegjës për vdekjen e Jezusit?

Mundimi dhe vdekja e Jezusit nuk mund t’u ngarkohen pa dallim as të gjithë judenjve që jetonin në atë kohë, as judenjve të tjerë që jetuan më vonë dhe në vende të tjera. Çdo mëkatar, domethënë çdo njeri, është vërtet shkak dhe mjet i vuajtjeve të Shëlbuesit; ndërsa më fajtorë janë ata që, sidomos nëse janë të krishterë, bien më shpesh sërish në mëkat ose kënaqen me veset.

127. Cilat «shenja» dëshmojnë për Ngjalljen e Jezusit?

Përveç shenjës thelbësore të varrit të zbrazët, për Ngjalljen e Jezusit dëshmojnë gratë që e takuan Jezusin të parat dhe ua shpallën këtë apostujve. Pastaj Jezusi «iu shfaq Kefës (Pjetrit), e pastaj të Dymbëdhjetëve. Më vonë iu shfaq përnjëherë më shumë se pesëqind vëllezërve» (1 Kor 15,5-6), si dhe të tjerëve. Apostujt nuk mund ta kishin shpikur ngjalljen, sepse ajo u dukej e pamundur: madje Jezusi i qortoi për mosbesimin e tyre.

171. Çfarë do të thotë pohimi: «Jashtë Kishës nuk ka shpëtim»?

Kjo do të thotë se çdo shpëtim vjen prej Krishtit-Krye përmes Kishës, që është Trupi i tij. Prandaj nuk mund të shëlbohen ata që, duke e njohur Kishën si të themeluar nga Krishti dhe të nevojshme për shpëtimin, nuk hyjnë në të dhe nuk qëndrojnë besnikë në të. Njëkohësisht, falë Krishtit dhe Kishës së tij, mund të arrijnë shpëtimin e amshuar ata që, pa pasur faj për këtë, nuk e njohin Ungjillin e Krishtit dhe Kishën e tij, por e kërkojnë sinqerisht Hyjin dhe, nën ndikimin e hirit, përpiqen të përmbushin vullnetin e tij, të cilin e njohin nëpërmjet zërit të ndërgjegjes.

201. Pse Kisha ka pushtetin t’i falë mëkatet?

Kisha ka misionin dhe pushtetin t’i falë mëkatet, sepse vetë Krishti ia ka dhënë: «Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që ua falni mëkatet, u falen; atyre që nuk ua falni, nuk u falen» (Gjn 20,22-23). «Besoj në ngjalljen e trupit».

213. Si pajtohet ekzistenca e ferrit me mirësinë e pafund të Hyjit?

Hyji, megjithëse dëshiron «që të gjithë të kenë mundësi të pendohen» (2 Pjt 3,9), duke e krijuar njeriun të lirë dhe përgjegjës, i respekton vendimet e tij. Prandaj, vetë njeriu, në mënyrë plotësisht autonome, e përjashton veten nga bashkimi me Hyjin, nëse deri në çastin e vdekjes së vet këmbëngul në mëkat të rëndë, duke e refuzuar dashurinë e mëshirshme të Hyjit.

244. A ka nevojë Kisha për vende ku të kremtojë liturgjinë?

Kulti «në shpirt e në të vërtetë» (Gjn 4,24) i Besëlidhjes së Re nuk lidhet me ndonjë vend të veçantë, sepse Krishti është tempulli i vërtetë i Hyjit; nëpërmjet tij, edhe të krishterët dhe mbarë Kisha bëhen, nën veprimin e Shpirtit Shenjt, tempuj të Hyjit të gjallë. Megjithatë, Populli i Hyjit, në gjendjen e vet tokësore, ka nevojë për vende ku bashkësia të mund të mblidhet për të kremtuar liturgjinë.

349. Cili është qëndrimi i Kishës ndaj të divorcuarve të rimartuar?

Besnike ndaj Zotit, Kisha nuk mund ta njohë si Martesë bashkimin e të divorcuarve të rimartuar në mënyrë civile. «Kush e lëshon gruan e vet e merr një tjetër, bën kurorëthyerje kundër saj; e nëse gruaja e lëshon burrin e vet dhe merr një tjetër, bën kurorëthyerje» (Mk 10,11-12). Kisha tregon përkujdesje të veçantë për ta, duke i ftuar në një jetë feje, në lutje, në vepra dashurie dhe në edukimin e krishterë të fëmijëve. Por ata nuk mund të marrin faljen sakramentale, as të marrin Kungimin eukaristik, as të ushtrojnë disa përgjegjësi kishtare, për sa kohë që vazhdon kjo gjendje, e cila objektivisht bie ndesh me ligjin e Hyjit.

392. Çfarë është mëkati?

Mëkati është «një fjalë, një veprim ose një dëshirë në kundërshtim me Ligjin e amshuar» (Shën Augustini). Ai është një fyerje ndaj Hyjit, nëpërmjet mosbindjes ndaj dashurisë së tij. Mëkati e plagos natyrën e njeriut dhe e cenon solidaritetin njerëzor. Krishti, në Mundimin e tij, e zbulon plotësisht rëndesën e mëkatit dhe e mund atë me mëshirën e vet.

472. Pse shoqëria duhet ta mbrojë çdo embrion?

E drejta e patjetërsueshme për jetën e çdo individi njerëzor, që nga ngjizja e tij, është një element përbërës i shoqërisë civile dhe i legjislacionit të saj. Kur shteti nuk e vë fuqinë e vet në shërbim të të drejtave të të gjithëve, e sidomos të më të dobëtve, ndër të cilët janë edhe të ngjizurit që ende nuk kanë lindur, vihen në rrezik vetë themelet e një shteti të së drejtës.

475. Kur janë moralisht të ligjshme eksperimentet shkencore, mjekësore ose psikologjike mbi persona apo grupe njerëzish?

Ato janë moralisht të ligjshme nëse i shërbejnë së mirës së gjithanshme të personit dhe shoqërisë, pa paraqitur rreziqe të shpërpjesëtuara për jetën dhe integritetin fizik e psikik të subjekteve, të cilët duhet të jenë informuar siç duhet dhe të japin pëlqimin e tyre.

572. Pse lutja është një luftë?

Lutja është dhuratë e hirit, por gjithmonë kërkon një përgjigje të vendosur nga ana jonë, sepse ai që lutet lufton kundër vetvetes, mjedisit dhe, mbi të gjitha, kundër Tunduesit, i cili bën gjithçka për ta larguar nga lutja. Lufta e lutjes është e pandashme nga përparimi i jetës shpirtërore. Njeriu lutet ashtu siç jeton, sepse jeton ashtu siç lutet.

hug-2709639_1280

O Zot, na mëso të mos e duam veten (Raoul Follereau)

Kënga ime e sotme (Shën Tereza e Lisieux-së)