in

Në zemrën e Kishës, unë do të jem Dashuria (Shën Tereza e Lizjës)

Therese
Adrian Michael, Public domain, via Wikimedia Commons

Nga «Historia e një shpirti» e shën Terezës së Fëmijës Jezus, virgjër
(Dorëshkrimi B, 3v°)

Këto aspirata, duke u bërë një martirizim i vërtetë, një ditë hapa letrat e shën Palit, për të kërkuar edhe unë ndonjë ilaç për mundimin tim. Kapitujt XII dhe XIII të Letrës së parë drejtuar Korintasve më ranë para syve. Aty lexova se jo të gjithë mund të jenë njëkohësisht apostuj, profetë dhe mësues, se Kisha përbëhet nga gjymtyrë të ndryshme dhe se syri nuk mund të jetë në të njëjtën kohë dora.

Përgjigjja ishte e qartë, por nuk i plotësonte dëshirat e mia dhe nuk më jepte paqe. Pa u shkurajuar, vazhdova leximin dhe kjo këshillë më lehtësoi: «Kërkoni me zell dhuratat më të përsosura; por unë do t’ju tregoj ende një udhë më të shkëlqyer.»

Dhe Apostulli shpjegon se të gjitha dhuratat më të përsosura nuk janë asgjë pa Dashurinë, se Dashuria Hyjnore është udha më e shkëlqyer për të shkuar me siguri te Hyji. Më në fund kisha gjetur prehjen!

Duke marrë në konsideratë trupin mistik të Kishës së shenjtë, nuk e kisha njohur veten në asnjërën prej gjymtyrëve të përshkruara nga shën Pali, ose më mirë, doja ta njihja veten në të gjitha.

Dashuria Hyjnore më dha çelësin e thirrjes sime.

Kuptova se, nëse Kisha kishte një trup të përbërë nga gjymtyrë të ndryshme, organi më i nevojshëm, më fisniku nga të gjithë, nuk i mungonte;
kuptova se ajo kishte një zemër dhe se kjo zemër digjej nga dashuria;
kuptova se vetëm dashuria i bënte gjymtyrët e saj të vepronin, se, nëse dashuria do të shuhej, apostujt nuk do ta shpallnin më Ungjillin, martirët do të refuzonin të derdhnin gjakun e tyre.

Kuptova se dashuria përfshinte të gjitha thirrjet, se dashuria ishte gjithçka, se ajo përqafonte të gjitha kohët dhe të gjitha vendet, sepse është e amshuar!

Atëherë, në teprinë e gëzimit tim të çmendur, thirra: «O Jezus, dashuria ime! Më në fund e gjeta thirrjen time, thirrja ime është dashuria! Po, e gjeta vendin tim në gjirin e Kishës dhe ky vend, o Hyji im, jeni ju që ma keni dhënë: në zemrën e Kishës, Nënës sime, unë do të jem dashuria!… Kështu do të jem gjithçka; kështu ëndrra ime do të realizohet!!!»

Shën Tereza e Lizjës

Përkthyer nga «Miqtë e Lazrit»

burqa-bing

Hiqe hixhabin, motra ime! (Elham Manea)

St.GemmaGalgani

Ditari i Shën Gemma Galgani