in

Samaritanus bonus për kujdesin ndaj njerëzve në fazat kritike dhe terminale të jetës

window-3616886_1280
Foto nga falco nga Pixabay

Kongregacioni për Doktrinën e Besimit

Letra Samaritanus bonus mbi kujdesin për personat në fazat kritike dhe terminale të jetës

Hyrje

Samaritani i mirë që lë rrugën e tij për të ndihmuar njeriun e sëmurë (shih Lk 10, 30-37) është imazhi i Jezu Krishtit që takon njeriun në nevojë për shpëtim dhe kujdeset për plagët dhe dhimbjen e tij me «vajin e ngushëllimit dhe verën e shpresës».[1] Ai është mjeku i shpirtrave dhe i trupave dhe «dëshmitari besnik» (Zb 3, 14) i pranisë shpëtuese të Perëndisë në botë. Por si ta bëjmë konkretisht këtë mesazh sot? Si ta përkthejmë atë në aftësinë për të shoqëruar personin e sëmurë në fazat terminale të jetës, në mënyrë që ta ndihmojmë duke respektuar dhe promovuar gjithmonë dinjitetin e tij njerëzor të paprekshëm, thirrjen e tij drejt shenjtërisë dhe, prandaj, vlerën supreme të ekzistencës së tij?

Zhvillimi i jashtëzakonshëm dhe progresiv i teknologjive biomedike ka rritur në mënyrë eksponenciale aftësitë klinike të mjekësisë në diagnostikimin, terapinë dhe kujdesin ndaj pacientëve. Kisha shikon me shpresë kërkimin shkencor dhe teknologjik dhe i sheh ato si një mundësi të favorshme për shërbimin ndaj së mirës integrale të jetës dhe dinjitetit të çdo qenieje njerëzore.[2] Megjithatë, këto përparime të teknologjisë mjekësore, megjithëse të çmuara, nuk janë në vetvete përcaktuese për të kualifikuar kuptimin e duhur dhe vlerën e jetës njerëzore. Në fakt, çdo përparim në aftësitë e profesionistëve të shëndetit kërkon një aftësi gjithnjë e më të madhe dhe të mençur të gjykimit moral[3] për të shmangur një përdorim joproporcional dhe çnjerëzor të teknologjive, sidomos në fazat kritike ose terminale të jetës njerëzore.

Për më tepër, menaxhimi organizativ dhe artikulimi, si dhe kompleksiteti i lartë i sistemeve shëndetësore bashkëkohore, mund ta reduktojnë marrëdhënien e besimit midis mjekut dhe pacientit në një marrëdhënie thjesht teknike dhe kontraktuale, një rrezik që kërcënon sidomos në vendet ku po miratohen ligje që legjitimojnë forma të vetëvrasjes së asistuar dhe eutanazisë vullnetare të pacientëve më të cenueshëm. Ato mohojnë kufijtë etikë dhe juridikë të vetëvendosjes së subjektit të sëmurë, duke errësuar në mënyrë shqetësuese vlerën e jetës njerëzore në sëmundje, kuptimin e vuajtjes dhe domethënien e kohës që i paraprin vdekjes. Dhimbja dhe vdekja, në fakt, nuk mund të jenë kriteret e fundit që masin dinjitetin njerëzor, i cili i takon çdo personi, thjesht sepse është një «qenie njerëzore».

Përballë sfidave të tilla, që mund të vënë në lojë mënyrën tonë të të menduarit për mjekësinë, domethënien e kujdesit ndaj personit të sëmurë dhe përgjegjësinë sociale ndaj më të dobëtëve, dokumenti i tanishëm synon të ndriçojë barinjtë dhe besimtarët në shqetësimet dhe dyshimet e tyre rreth ndihmës mjekësore, shpirtërore dhe baritore që u takon të sëmurëve në fazat kritike dhe terminale të jetës. Të gjithë janë të thirrur të japin dëshmi pranë të sëmurit dhe të bëhen «komunitet shërues», në mënyrë që dëshira e Jezusit, që të gjithë të jenë një mish, duke filluar nga më të dobëtit dhe më të cenueshmit, të realizohet konkretisht.[4] Kudo perceptohet, në fakt, nevoja për një sqarim moral dhe udhëzime praktike se si t’i ndihmojmë këta persona, pasi «nevojitet një unitet doktrine dhe praktike»[5] për një temë kaq delikate, që ka të bëjë me të sëmurët më të dobët në fazat më delikate dhe vendimtare të jetës së një personi.

Disa Konferenca Episkopale në botë kanë publikuar dokumente dhe letra baritore, me të cilat janë përpjekur t’u japin një përgjigje sfidave të paraqitura nga vetëvrasja e asistuar dhe eutanazia vullnetare – të legjitimuara nga disa rregullore kombëtare – me referim të veçantë ndaj atyre që punojnë ose janë të shtruar në strukturat spitalore, edhe ato katolike. Por ndihma shpirtërore dhe dyshimet që lindin, në rrethana të caktuara dhe kontekste të veçanta, rreth kremimit të Sakramenteve për ata që synojnë t’i japin fund jetës së tyre, kërkojnë sot një ndërhyrje më të qartë dhe më të saktë nga Kisha, me qëllim që:
‒ të ripërtërijë mesazhin e Ungjillit dhe shprehjet e tij si themele doktrinore të propozuara nga Magjisteri, duke rikujtuar misionin e atyre që janë në kontakt me të sëmurët në fazat kritike dhe terminale (familjarët ose kujdestarët ligjorë, famullitarët e spitaleve, ministrat e jashtëzakonshëm të Eukaristisë dhe punonjësit baritorë, vullnetarët e spitaleve dhe personeli shëndetësor), si dhe vetë të sëmurëve;
‒ të ofrojë udhëzime baritore të sakta dhe konkrete, në mënyrë që në nivel lokal të mund të përballohen dhe të menaxhohen këto situata komplekse, për të favorizuar takimin personal të pacientit me Dashurinë e mëshirshme të Perëndisë.

I. Kujdesi për të afërmin

Është e vështirë të njohësh vlerën e thellë të jetës njerëzore kur, pavarësisht çdo përpjekjeje ndihmëse, ajo vazhdon të na shfaqet në dobësinë dhe brishtësinë e saj. Vuajtja, larg nga të qenit e hequr nga horizonti ekzistencial i personit, vazhdon të gjenerojë një pyetje të pashtershme mbi kuptimin e të jetuarit.[6] Zgjidhja e kësaj pyetjeje dramatike nuk do të mund të ofrohet kurrë vetëm në dritën e mendimit njerëzor, pasi në vuajtje përmbahet madhështia e një misteri specifik që vetëm Shpallja e Perëndisë mund ta zbulojë.[7] Në veçanti, çdo punonjësi shëndetësor i është besuar misioni i ruajtjes besnike të jetës njerëzore deri në përfundimin e saj natyror,[8] përmes një procesi ndihme që është në gjendje të rigjenerojë te çdo pacient kuptimin e thellë të ekzistencës së tij, kur ajo shënohet nga vuajtja dhe sëmundja. Për këtë arsye, duket e nevojshme të fillojmë nga një konsideratë e vëmendshme e kuptimit të duhur të kujdesit, për të kuptuar domethënien e misionit specifik të besuar nga Perëndia çdo personi, punonjësit shëndetësor dhe baritor, si dhe vetë të sëmurit dhe familjes së tij.

Përvoja e kujdesit mjekësor fillon nga ajo gjendje njerëzore, e shënuar nga fundësia dhe kufiri, që është cenueshmëria. Në lidhje me personin, ajo shkruhet në brishtësinë e qenies sonë, së bashku si «trup», materialisht dhe përkohësisht i kufizuar, dhe «shpirt», dëshirë për pafundësi dhe destinacion drejt përjetësisë. Qenia jonë «e kufizuar», por e destinuar për përjetësi, zbulon si varësinë tonë nga të mirat materiale dhe nga ndihma e ndërsjellë e njerëzve, ashtu edhe lidhjen tonë origjinale dhe të thellë me Perëndinë. Kjo cenueshmëri i jep themel etikës së kujdesit, veçanërisht në fushën e mjekësisë, të kuptuar si kujdes, vëmendje, pjesëmarrje dhe përgjegjësi ndaj grave dhe burrave që na janë besuar, sepse janë në nevojë për ndihmë fizike dhe shpirtërore.

Në veçanti, marrëdhënia e kujdesit zbulon një parim drejtësie, në dy dimensionet e saj të promovimit të jetës njerëzore (suum cuique tribuere) dhe të mos i shkaktuar dëm personit (alterum non laedere): i njëjti parim që Jezusi e transformon në rregullin e artë pozitiv «Gjithçka që dëshironi që njerëzit t’ju bëjnë juve, edhe ju bëjuni atyre» (Mt 7, 12). Është rregulli që në etikën mjekësore tradicionale gjen një jehonë në aforizmin «primum non nocere».

Kujdesi për jetën është, pra, përgjegjësia e parë që mjeku përjeton në takimin me të sëmurin. Ai nuk mund të reduktohet në aftësinë për të shëruar të sëmurin, duke qenë se horizonti i tij antropologjik dhe moral është më i gjerë: edhe kur shërimi është i pamundur ose i papritur, shoqërimi mjekësor-infermieror (kujdesi për funksionet jetësore fiziologjike të trupit), psikologjik dhe shpirtëror është një detyrë e pashmangshme, pasi e kundërta do të ishte një braktisje çnjerëzore e të sëmurit. Mjekësia, në fakt, që përdor shumë shkenca, posedon edhe një dimension të rëndësishëm të «artit terapeutik» që përfshin një marrëdhënie të ngushtë midis pacientit, profesionistëve të shëndetit, familjarëve dhe anëtarëve të komuniteteve të ndryshme të përkatësisë së të sëmurit: arti terapeutik, aktet klinike dhe kujdesi janë të pandashëm të bashkuar në praktikën mjekësore, sidomos në fazat kritike dhe terminale të jetës.

Samaritani i mirë, në fakt, «jo vetëm që i afrohet, por merr përsipër atë njeri që e sheh pothuajse të vdekur në anë të rrugës».[9] Investon tek ai jo vetëm paratë që ka, por edhe ato që nuk i ka dhe që shpreson t’i fitojë në Jeriko, duke premtuar se do t’i paguajë kur të kthehet. Kështu Krishti na fton të kemi besim në hirin e tij të padukshëm dhe nxit bujarinë e bazuar në dashurinë e mbinatyrshme, duke u identifikuar me çdo të sëmurë: «Sa herë që u keni bërë këto njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua» (Mt 25, 40). Pohimi i Jezusit është një e vërtetë morale me shtrirje universale: «bëhet fjalë për “kujdesin për” tërë jetën dhe jetën e të gjithëve»,[10] për të zbuluar Dashurinë origjinale dhe të pakushtëzuar të Perëndisë, burim i kuptimit të çdo jete.

Për këtë qëllim, sidomos në strukturat spitalore dhe ndihmëse të frymëzuara nga vlerat e krishtera, është më se e nevojshme të bëhet një përpjekje, edhe shpirtërore, për t’i lënë vend një marrëdhënieje të ndërtuar duke u nisur nga njohja e brishtësisë dhe cenueshmërisë së personit të sëmurë. Dobësia, në fakt, na kujton varësinë tonë nga Perëndia dhe na fton t’i përgjigjemi me respektin e duhur të afërmit. Nga këtu lind përgjegjësia morale, e lidhur me vetëdijen e çdo subjekti që kujdeset për të sëmurin (mjeku, infermieri, familjari, vullnetari, bariu), se po përballet me një të mirë themelore dhe të paprekshme – personin njerëzor – e cila imponon të mos tejkalohet kufiri ku ruhet respekti për veten dhe për tjetrin, pra pranimi, mbrojtja dhe promovimi i jetës njerëzore deri në ardhjen natyrale të vdekjes. Bëhet fjalë, në këtë kuptim, për të pasur një vështrim kontemplativ,[11] që di të kapë në ekzistencën e vet dhe të tjetrit një mrekulli unike dhe të papërsëritshme, të marrë dhe të pranuar si një dhuratë. Është vështrimi i atij që nuk pretendon të zotërojë realitetin e jetës, por di ta pranojë atë siç është, me mundimet dhe vuajtjet e saj, duke u përpjekur të njohë në sëmundje një kuptim nga i cili lejohet të pyetet dhe të «udhëhiqet», me besimin e atij që i dorëzohet Zotit të jetës që manifestohet në të.

Sigurisht, mjekësia duhet ta pranojë kufirin e vdekjes si pjesë të gjendjes njerëzore. Vjen një moment kur nuk ka më asgjë tjetër veçse të njihet pamundësia për të ndërhyrë me terapi specifike në një sëmundje, e cila paraqitet shpejt si vdekjeprurëse. Ky është një fakt dramatik, që duhet t’i komunikohet të sëmurit me shumë njerëzillëk dhe gjithashtu me një hapje plot besim drejt perspektivës së mbinatyrshme, duke qenë të vetëdijshëm për ankthin që shkakton vdekja, sidomos në një kulturë që e fsheh atë. Nuk mund, në fakt, të mendohet jeta fizike si diçka që duhet ruajtur me çdo kusht – gjë që është e pamundur –, por si diçka që duhet jetuar duke arritur në pranimin e lirë të kuptimit të ekzistencës trupore: «vetëm në referencë ndaj personit njerëzor në “totalitetin e tij të bashkuar”, pra “shpirt që shprehet në trup dhe trup i formuar nga një frymë e pavdekshme”, mund të lexohet kuptimi specifikisht njerëzor i trupit».[12]

Njohja e pamundësisë për t’u shëruar në perspektivën e afërt të vdekjes nuk do të thotë, megjithatë, fundi i veprimit mjekësor dhe infermieror. Ushtrimi i përgjegjësisë ndaj personit të sëmurë do të thotë sigurimi i kujdesit deri në fund: «të shërosh nëse është e mundur, të kujdesesh gjithmonë (to cure if possible, always to care)».[13] Ky qëllim i kujdesit për të sëmurin gjithmonë ofron kriterin për të vlerësuar veprimet e ndryshme që do të ndërmerren në situatën e sëmundjes «të pashërueshme»: e pashërueshme, në fakt, nuk është kurrë sinonim i «e pakurueshme». Vështrimi kontemplativ fton në zgjerimin e nocionit të kujdesit. Qëllimi i ndihmës duhet të synojë integritetin e personit, duke siguruar me mjete adekuate dhe të nevojshme mbështetjen fizike, psikologjike, sociale, familjare dhe fetare. Besimi i gjallë i ruajtur në shpirtrat e personave të pranishëm mund të kontribuojë në jetën e vërtetë teologjike të personit të sëmurë, edhe nëse kjo nuk është menjëherë e dukshme. Kujdesi baritor për të gjithë, familjarët, mjekët, infermierët dhe famullitarët, mund ta ndihmojë të sëmurin të vazhdojë në hirin shenjtërues dhe të vdesë në dashuri, në Dashurinë e Perëndisë. Përballë pashmangshmërisë së sëmundjes, në fakt, sidomos nëse është kronike dhe degjenerative, nëse besimi mungon, frika nga vuajtja dhe vdekja, dhe dëshpërimi që rrjedh prej saj, përbëjnë sot shkaqet kryesore të përpjekjes për të kontrolluar dhe menaxhuar ardhjen e vdekjes, madje edhe duke e parandaluar atë, me kërkesën për eutanazi ose vetëvrasje të asistuar.

II. Përvoja e gjallë e Krishtit që vuan dhe lajmi i shpresës

Nëse figura e Samaritanit të mirë ndriçon me dritë të re praktikën e kujdesit, përvoja e gjallë e Krishtit që vuan, e agonisë së Tij në Kryq dhe e Ngjalljes së Tij, janë vendet ku manifestohet afërsia e Perëndisë së bërë njeri me format e shumta të ankthit dhe dhimbjes, që mund të prekin të sëmurët dhe familjarët e tyre, gjatë ditëve të gjata të sëmundjes dhe në fund të jetës.

Jo vetëm personi i Krishtit shpallet nga fjalët e profetit Isaia si njeri me të cilin dhimbja dhe vuajtja janë familjare (shih Is 53), por, nëse rilexojmë faqet e pasionit të Krishtit, gjejmë aty përvojën e moskuptimit, talljes, braktisjes, dhimbjes fizike dhe ankthit. Këto janë përvoja që sot prekin shumë të sëmurë, shpesh të konsideruar një barrë për shoqërinë; ndonjëherë të pakuptuar në kërkesat e tyre, ata jetojnë shpesh forma të braktisjes emocionale, të humbjes së lidhjeve.

Çdo i sëmurë ka nevojë jo vetëm të dëgjohet, por të kuptojë se bashkëbiseduesi i tij «e di» çfarë do të thotë të ndihesh vetëm, i braktisur, në ankth përballë perspektivës së vdekjes, dhimbjes së mishit, vuajtjes që lind kur vështrimi i shoqërisë mat vlerën e tij në terma të cilësisë së jetës dhe e bën të ndihet si një barrë për planet e të tjerëve. Për këtë arsye, kthimi i vështrimit drejt Krishtit do të thotë të dish se mund t’i drejtohesh Atij që ka provuar në mishin e Tij dhimbjen e kamxhikëve dhe gozhdëve, talljen e rrahësve, braktisjen dhe tradhtinë e miqve më të dashur.

Përballë sfidës së sëmundjes dhe në prani të shqetësimeve emocionale dhe shpirtërore te ai që jeton përvojën e dhimbjes, del, në mënyrë të pashmangshme, nevoja për të ditur të thuash një fjalë ngushëllimi, të marrë nga dhembshuria plot shpresë e Jezusit në Kryq. Një shpresë e besueshme, ajo e pohuar nga Krishti në Kryq, e aftë të përballojë momentin e provës, sfidën e vdekjes. Në Kryqin e Krishtit – kënduar nga liturgjia të Premten e Madhe: Ave crux, spes unica – janë përqendruar dhe përmbledhur të gjitha të këqijat dhe vuajtjet e botës. Të gjitha të këqijat fizike, për të cilat kryqi, si mjet vdekjeje të turpshme dhe poshtëruese, është emblema; të gjitha të këqijat psikologjike, të shprehura në vdekjen e Jezusit në vetminë më të zezë, braktisjen dhe tradhtinë; të gjitha të këqijat morale, të shfaqura në dënimin me vdekje të të Pafajshmit; të gjitha të këqijat shpirtërore, të theksuara në dëshpërimin që bën të perceptohet heshtja e Perëndisë.

Krishti është Ai që ka ndierë rreth Tij trishtimin e dhimbshëm të Nënës dhe të dishepujve, të cilët «qëndrojnë» nën Kryq: në këtë «qëndrim» të tyre, në dukje të ngarkuar me paaftësi dhe dorëzim, është e gjithë afërsia e lidhjeve që i lejon Perëndisë së bërë njeri të jetojë edhe ato orë që duken pa kuptim.

Pastaj është Kryqi: në fakt një mjet torture dhe ekzekutimi i rezervuar vetëm për të fundit, që duket kështu i ngjashëm, në ngarkesën e tij simbolike, me ato sëmundje që gozhdojnë në shtrat, që parathonë vetëm vdekjen dhe duket se i heqin kuptimin kohës dhe rrjedhës së saj. Megjithatë, ata që «qëndrojnë» rreth të sëmurit nuk janë vetëm dëshmitarë, por janë shenjë e gjallë e atyre lidhjeve, atyre marrëdhënieve, asaj gatishmërie intime për dashuri, që i lejojnë atij që vuan të gjejë mbi veten një vështrim njerëzor të aftë për t’i dhënë kuptim kohës së sëmundjes. Sepse, në përvojën e të ndjerit të dashur, e gjithë jeta gjen justifikimin e saj. Krishti është mbështetur gjithmonë, në rrugën e pasionit të Tij, nga besimi i sigurt në dashurinë e Atit, që bëhej i dukshëm, në orët e Kryqit, edhe përmes dashurisë së Nënës. Sepse Dashuria e Perëndisë shfaqet gjithmonë, në historinë e njerëzve, falë dashurisë së atij që nuk na lë, të atij që «qëndron», pavarësisht nga gjithçka, pranë nesh.

Nëse reflektojmë mbi fundin e jetës së njerëzve, nuk mund të harrojmë se në ta banon shpesh shqetësimi për ata që lënë pas: për fëmijët, bashkëshortin/bashkëshorten, prindërit, miqtë. Një komponent njerëzor që nuk mund ta neglizhojmë kurrë dhe të cilit duhet t’i ofrohet mbështetje dhe ndihmë.

Është i njëjti shqetësim i Krishtit, i cili para se të vdesë mendon për Nënën që do të mbetet vetëm, brenda një dhimbjeje që do të duhet ta bartë në histori. Në kronikën e thatë të Ungjillit të Gjonit, Krishti i drejtohet Nënës, për ta siguruar, për t’ia besuar Dishepullit të dashur që të kujdeset për të: «Nënë, ja biri yt» (shih Gjn 19, 26-27). Koha e fundit të jetës është kohë marrëdhëniesh, kohë kur duhet mundur vetmia dhe braktisja (shih Mt 27, 46 dhe Mk 15, 34), në pamje të dorëzimit me besim të jetës së vet Perëndisë (shih Lk 23, 46).

Në këtë perspektivë, shikimi drejt Kryqëzuarit do të thotë të shohësh një skenë korale, ku Krishti është në qendër sepse përmbledh në mishin e Tij, dhe me të vërtetë e transformon, orët më të errëta të përvojës njerëzore, ato në të cilat shfaqet, në heshtje, mundësia e dëshpërimit. Drita e besimit na bën të kapim, në atë përshkrim plastik dhe të zhveshur që Ungjijtë na ofrojnë, Praninë Trinitare, sepse Krishti i beson Atit falë Shpirtit të Shenjtë, i cili mbështet Nënën dhe dishepujt, të cilët «qëndrojnë» dhe, në këtë «qëndrim» të tyre pranë Kryqit, marrin pjesë, me përkushtimin e tyre njerëzor ndaj Atij që vuan, në misterin e Shpëtimit.

Kështu, megjithëse e shënuar nga një kalim i dhimbshëm, vdekja mund të bëhet rast për një shpresë më të madhe, pikërisht falë besimit, që na bën pjesëmarrës në veprën shpëtimtare të Krishtit. Në fakt, dhimbja është e përballueshme ekzistencialisht vetëm aty ku ka shpresë. Shpresa që Krishti i transmeton atij që vuan dhe të sëmurit është ajo e pranisë së Tij, e afërsisë së Tij reale. Shpresa nuk është vetëm një pritje për një të ardhme më të mirë, është një vështrim drejt së tashmes, që e bën atë plot kuptim. Në besimin e krishterë, ngjarja e Ngjalljes jo vetëm që zbulon jetën e përjetshme, por bën të dukshme se në histori fjala e fundit nuk është kurrë vdekja, dhimbja, tradhtia, e keqja. Krishti ngjallet në histori dhe në misterin e Ngjalljes është konfirmimi i dashurisë së Atit që nuk braktis kurrë.

Rishikimi, atëherë, i përvojës së gjallë të Krishtit që vuan do të thotë t’u dorëzojmë edhe njerëzve të sotëm një shpresë të aftë për t’i dhënë kuptim kohës së sëmundjes dhe vdekjes. Kjo shpresë është dashuria që i reziston tundimit të dëshpërimit.

Megjithëse kaq të rëndësishëm dhe plot vlerë, kujdesi paliativ nuk mjafton nëse nuk ka askënd që «qëndron» pranë të sëmurit dhe i dëshmon atij vlerën e tij unike dhe të papërsëritshme. Për besimtarin, shikimi drejt Kryqëzuarit do të thotë t’i besosh kuptimit dhe Dashurisë së Perëndisë: dhe është e rëndësishme, në një epokë historike kur ekzaltohet autonomia dhe kremtohen madhështitë e individit, të kujtojmë se, nëse është e vërtetë që secili jeton vuajtjen, dhimbjen dhe vdekjen e tij, këto përvoja janë gjithmonë të ngarkuara me vështrimin dhe praninë e të tjerëve. Rreth Kryqit janë edhe funksionarët e shtetit romak, janë kuriozët, janë ata që shpërqendrohen, janë indiferentët dhe ata që kanë inat; ata janë nën Kryq, por nuk «qëndrojnë» me Kryqëzuarin.

Në repartet e terapisë intensive, në shtëpitë e kujdesit për të sëmurët kronikë, mund të jesh i pranishëm si funksionar ose si njeri që «qëndron» me të sëmurin.

Përvoja e Kryqit kështu lejon t’i ofrohet atij që vuan një bashkëbisedues i besueshëm, të cilit t’i drejtojë fjalën, mendimin, të cilit t’i dorëzojë ankthin dhe frikën: atyre që kujdesen për të sëmurin, skena e Kryqit u ofron një element shtesë për të kuptuar se edhe kur duket se nuk ka më asgjë për të bërë, ka ende shumë për të bërë, sepse «qëndrimi» është një nga shenjat e dashurisë dhe e shpresës që ajo bart në vete. Lajmi i jetës pas vdekjes nuk është iluzion apo ngushëllim, por një siguri që qëndron në qendër të dashurisë, e cila nuk konsumohet me vdekjen.

III. “Zemra që sheh” e Samaritanit: jeta njerëzore është një dhuratë e shenjtë dhe e paprekshme

Njeriu, në çdo gjendje fizike apo psikike që ndodhet, ruan dinjitetin e tij origjinal si qenie e krijuar sipas shëmbëllimit të Perëndisë. Ai mund të jetojë dhe të rritet në shkëlqimin hyjnor sepse është i thirrur të jetë «shëmbëllim dhe lavdi e Perëndisë» (1 Kor 11, 7; 2 Kor 3, 18). Dinjiteti i tij qëndron në këtë thirrje. Perëndia u bë Njeri për të na shpëtuar, duke na premtuar shpëtimin dhe duke na destinuar në bashkim me Të: këtu qëndron themeli përfundimtar i dinjitetit njerëzor.[14]

Është tipike e Kishës të shoqërojë me mëshirë më të dobëtit në rrugën e tyre të dhimbjes, për të ruajtur te ata jetën teologjike dhe për t’i drejtuar drejt shpëtimit të Perëndisë.[15] Është Kisha e Samaritanit të mirë,[16] e cila «e konsideron shërbimin ndaj të sëmurëve si pjesë integrale të misionit të saj».[17] Kuptimi i këtij ndërmjetësimi shpëtues të Kishës në një perspektivë bashkimi dhe solidariteti midis njerëzve është një ndihmë thelbësore për të kapërcyer çdo tendencë reduktuese dhe individualiste.[18]

Në veçanti, programi i Samaritanit të mirë është “një zemër që sheh”. Ai «na mëson se është e nevojshme të konvertojmë vështrimin e zemrës, sepse shumë herë ai që sheh nuk shikon. Pse? Sepse mungon dhembshuria. […] Pa dhembshuri, ai që sheh nuk angazhohet në atë që vëzhgon dhe kalon më tej; ndërsa ai që ka zemër të dhembshur preket dhe përfshihet, ndalet dhe kujdeset».[19] Kjo zemër sheh aty ku ka nevojë për dashuri dhe vepron në përputhje me rrethanat.[20] Sytë perceptojnë në dobësi një thirrje të Perëndisë për të vepruar, duke njohur në jetën njerëzore të mirën e parë të përbashkët të shoqërisë.[21] Jeta njerëzore është një e mirë shumë e lartë dhe shoqëria është e thirrur ta njohë atë. Jeta është një dhuratë[22] e shenjtë dhe e paprekshme dhe çdo njeri, i krijuar nga Perëndia, ka një thirrje transcendente dhe një marrëdhënie unike me Atë që jep jetën, sepse «Perëndia i padukshëm në dashurinë e tij të madhe»[23] i ofron çdo njeriu një plan shpëtimi në mënyrë që të mund të pohojë: «Jeta është gjithmonë një e mirë. Kjo është një intuitë apo madje një fakt nga përvoja, kuptimin e thellë të të cilit njeriu është i thirrur ta kapë».[24] Për këtë arsye Kisha është gjithmonë e lumtur të bashkëpunojë me të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, me besimtarë të feve apo religjioneve të tjera ose jo-besimtarë, të cilët respektojnë dinjitetin e jetës njerëzore, edhe në fazat e saj ekstreme të vuajtjes dhe vdekjes, dhe refuzojnë çdo akt kundër saj.[25] Perëndia Krijues, në fakt, i ofron njeriut jetën dhe dinjitetin e tij si një dhuratë të çmuar për t’u ruajtur dhe shtuar dhe për të cilën përfundimisht do t’i japë llogari Atij.

Kisha pohon kuptimin pozitiv të jetës njerëzore si një vlerë tashmë të perceptueshme nga arsyeja e drejtë, të cilën drita e besimit e konfirmon dhe e vlerëson në dinjitetin e saj të paprekshëm.[26] Nuk bëhet fjalë për një kriter subjektiv apo arbitrar; bëhet fjalë përkundrazi për një kriter të bazuar në dinjitetin natyral të paprekshëm – pasi jeta është e mira e parë sepse është kushti për gëzimin e çdo të mire tjetër – dhe në thirrjen transcendente të çdo qenieje njerëzore, të thirrur të ndajë Dashurinë trinitare të Perëndisë së gjallë:[27] «Dashuria e veçantë që Krijuesi ka për çdo qenie njerëzore “i jep asaj një dinjitet të pafund”».[28] Vlera e paprekshme e jetës është një e vërtetë bazë e ligjit moral natyral dhe një themel esencial i rendit juridik. Ashtu si nuk mund të pranohet që një njeri tjetër të jetë skllavi ynë, edhe nëse ai vetë na e kërkon, po ashtu nuk mund të zgjidhet drejtpërdrejt të cenohet jeta e një qenieje njerëzore, edhe nëse ajo e kërkon. Prandaj, shuarja e jetës së një të sëmuri që kërkon eutanazinë nuk do të thotë aspak njohje e autonomisë së tij dhe vlerësim i saj, por përkundrazi do të thotë mohim i vlerës së lirisë së tij, fuqishëm e kushtëzuar nga sëmundja dhe dhimbja, dhe i vlerës së jetës së tij, duke i mohuar çdo mundësi të mëtejshme marrëdhënieje njerëzore, kuptimi të ekzistencës dhe rritjeje në jetën teologjike. Më tej, vendoset në vend të Perëndisë momenti i vdekjes. Për këtë arsye, «aborti, eutanazia dhe vetëvrasja vullnetare […] prishin qytetërimin njerëzor, poshtërojnë ata që veprojnë kështu më shumë se ata që i vuajnë dhe dëmtojnë në mënyrë të konsiderueshme nderin e Krijuesit».[29]

IV. Pengesat kulturore që errësojnë vlerën e shenjtë të çdo jete njerëzore

Disa faktorë sot kufizojnë aftësinë për të kapur vlerën e thellë dhe intrinsike të çdo jete njerëzore: i pari është referimi ndaj një përdorimi të paqartë të konceptit të “vdekjes së denjë” në lidhje me atë të “cilësisë së jetës”. Këtu del një perspektivë antropologjike utilitariste, e cila «lidhet kryesisht me mundësitë ekonomike, me “mirëqenien”, me bukurinë dhe gëzimin e jetës fizike, duke harruar dimensione më të thella – marrëdhëniet, shpirtërore dhe fetare – të ekzistencës».[30] Në bazë të këtij parimi, jeta konsiderohet e denjë vetëm nëse ka një nivel të pranueshëm cilësie, sipas gjykimit të vetë subjektit ose të palëve të treta, në lidhje me praninë-mungesën e funksioneve të caktuara psikike ose fizike, ose shpesh identifikohet edhe me praninë e vetme të një shqetësimi psikologjik. Sipas kësaj qasjeje, kur cilësia e jetës duket e varfër, ajo nuk meriton të vazhdohet. Kështu, megjithatë, nuk njihet më se jeta njerëzore ka një vlerë në vetvete.

Një pengesë e dytë që errëson perceptimin e shenjtërisë së jetës njerëzore është një kuptim i gabuar i “dhembshurisë”[31]. Përballë një vuajtjeje të kualifikuar si “e papërballueshme”, justifikohet fundi i jetës së pacientit në emër të “dhembshurisë”. Për të mos vuajtur është më mirë të vdesësh: kjo është eutanazia e ashtuquajtur “e dhembshur”. Do të ishte e dhembshur të ndihmoje pacientin të vdesë përmes eutanazisë ose vetëvrasjes së asistuar. Në realitet, dhembshuria njerëzore nuk konsiston në shkaktimin e vdekjes, por në pranimin e të sëmurit, në mbështetjen e tij brenda vështirësive, në ofrimin e dashurisë, vëmendjes dhe mjeteve për të lehtësuar vuajtjen.

Faktori i tretë që e bën të vështirë njohjen e vlerës së jetës së vetes dhe të tjetrit brenda marrëdhënieve ndërpersonale është një individualizëm në rritje, që nxit të shihen të tjerët si kufi dhe kërcënim për lirinë e vet. Në rrënjë të një qëndrimi të tillë qëndron «një neo-pelagianizëm sipas të cilit individi, radikalisht autonom, pretendon të shpëtojë veten, pa pranuar se ai varet, në thellësinë më të madhe të qenies së tij, nga Perëndia dhe nga të tjerët […]. Njëfarë neo-gnosticizmi, nga ana e tij, paraqet një shpëtim thjesht të brendshëm, të mbyllur në subjektivizëm»[32], që dëshiron lirimin e personit nga kufijtë e trupit të tij, sidomos kur është i brishtë dhe i sëmurë.

Individualizmi, në veçanti, është në rrënjë të asaj që konsiderohet sëmundja më e fshehtë e kohës sonë: vetmia[33], e tematizuar në disa kontekste normative madje si “e drejta për vetmi”, duke u nisur nga autonomia e personit dhe nga “parimi i lejes-pëlqimit”: një leje-pëlqim që, duke pasur parasysh kushte të caktuara të pakënaqësisë ose sëmundjes, mund të shtrihet deri në zgjedhjen për të vazhduar ose jo jetën. Është e njëjta “e drejtë” që qëndron në themel të eutanazisë dhe vetëvrasjes së asistuar. Ideja bazë është se ata që gjenden në një gjendje varësie dhe nuk mund të asimilohen në autonominë dhe reciprocitetin e plotë, kujdesen në fakt në bazë të një favori. Koncepti i së mirës reduktohet kështu në rezultatin e një marrëveshjeje sociale: secili merr kujdesin dhe ndihmën që autonomia ose dobia sociale dhe ekonomike e bëjnë të mundur ose të përshtatshme. Nga kjo rrjedh një varfërim i marrëdhënieve ndërpersonale, të cilat bëhen të brishta, pa dashurinë e mbinatyrshme, të asaj solidariteti njerëzor dhe të asaj mbështetjeje sociale aq të nevojshme për të përballuar momentet dhe vendimet më të vështira të ekzistencës.

Kjo mënyrë e të menduarit të marrëdhënieve njerëzore dhe kuptimit të së mirës nuk mund të mos ndikojë në vetë kuptimin e jetës, duke e bërë atë lehtësisht të manipulueshme, madje edhe përmes ligjeve që legalizojnë praktika eutanazike, duke shkaktuar vdekjen e të sëmurëve. Këto veprime shkaktojnë një ndjeshmëri të rëndë ndaj kujdesit për personin e sëmurë dhe deformojnë marrëdhëniet. Në rrethana të tilla, lindin ndonjëherë dilema të pabazuara mbi moralitetin e veprimeve që, në realitet, nuk janë veçse akte të thjeshta kujdesi ndaj personit, siç është hidratimi dhe ushqimi i një të sëmuri në gjendje pa ndjenja pa perspektiva shërimi.

Në këtë kuptim, Papa Françesku ka folur për «kulturën e skartimit».[34] Viktimat e një kulture të tillë janë pikërisht qeniet njerëzore më të brishta, të cilat rrezikojnë të «skartohen» nga një mekanizëm që dëshiron të jetë efikas me çdo kusht. Bëhet fjalë për një fenomen kulturor fuqishëm anti-solidarist, të cilin Gjon Pali II e kualifikoi si «kulturë vdekjeje» dhe që krijon autentike «struktura mëkatare».[35] Ai mund të nxisë kryerjen e veprimeve në vetvete të gabuara thjesht nga motivi i «ndjenjës së mirë» gjatë kryerjes së tyre, duke krijuar konfuzion midis së mirës dhe së keqes, ndërkohë që çdo jetë personale posedon një vlerë unike dhe të papërsëritshme, gjithmonë premtuese dhe e hapur drejt transcendencës. Në këtë kulturë të skartimit dhe të vdekjes, eutanazia dhe vetëvrasja e asistuar paraqiten si një zgjidhje e gabuar për të zgjidhur problemet në lidhje me pacientin terminal.

Piero_Pala_della_misericordia_madonna_della_misericordia

Nën mbrojtjen tënde

light-3176887_1280

Më prij, Ti, dritë e fisme (John Henry Newman)