
Për t’u thënë në orën 17:00 të 27 nëntorit, Festa Liturgjike e Medaljes së Mrekullive, në çdo datë 27 të muajit dhe në çdo nevojë urgjente
Medalja e Mrekullive është dhurata që Virgjëra Mari deshi t’u linte bijve të saj përmes shfaqjeve të saj Shën Katerinës Labouré, në vitin 1830, si shenjë e dashurisë së saj amtare dhe e mbrojtjes së saj. Duke e mbajtur me besim dhe duke ia besuar veten Marisë, kujtojmë praninë e saj dhe kërkojmë hiret që Hyji, me ndërmjetësimin e saj, dëshiron të na dhurojë.
O Virgjër e Papërlyer, ne e dimë se gjithmonë dhe kudo je e gatshme t’u përgjigjesh lutjeve të bijve të tu shtegtarë në këtë luginë lotësh, por dimë gjithashtu se ka ditë në të cilat ti kënaqesh duke derdhur më me bollëk thesaret e hireve të tua. Ja, pra, o Nënë, ne jemi këtu, të përulur para teje, pikërisht në atë ditë të bekuar, të zgjedhur prej teje për shfaqjen e Medaljes sate. Ne vijmë tek ti, të mbushur me mirënjohje të pafund dhe besim të pakufishëm, në këtë ditë kaq të dashur për ty, për të të falënderuar për dhuratën e madhe që na ke bërë duke na dhënë shëmbëlltyrën tënde, që të ishte për ne dëshmi e dashurisë dhe peng i mbrojtjes sate. Ne të premtojmë se: Medalja e shenjtë do të jetë shenja e pranisë sate pranë nesh, do të jetë libri ynë, në të cilin do të mësojmë të njohim, duke ndjekur këshillën tënde, sa shumë na ke dashur dhe çfarë duhet të bëjmë ne, që të mos jenë të kota kaq shumë flijime të tuat dhe të Birit tënd hyjnor. Po, Zemra jote e shpuar, e paraqitur në Medalje, do të prehet gjithmonë mbi zemrën tonë dhe do ta bëjë të rrahë në një ritëm me tënden, do ta ndezë me dashuri për Jezusin dhe do ta forcojë, që çdo ditë të mbajmë kryqin tonë pas Tij.
Të falemi Mari…
O Mari, e zënë pa mëkat, lutu për ne që ty të kërkojmë ndihmë.
Kjo është ora, o Mari, e mirësisë sate të pashtershme, e mëshirës sate ngadhënjyese, ora në të cilën ti bëre të buronte, përmes Medaljes sate, ai përrua hiresh dhe mrekullish që përmbyti tokën. Bëj, o Nënë, që kjo orë, e cila kujton mallëngjimin e ëmbël të Zemrës sate, që të shtyu të na sillje ilaçin për kaq shumë të këqija, të jetë edhe ora jonë: ora e kthimit tonë të sinqertë dhe ora e plotësimit të plotë të kërkesave tona. Ti, që ke premtuar se hire të mëdha do të ishin për ata që do t’i kërkonin me besim, drejtoje me mirësi shikimin tënd mbi ne. E pranojmë se nuk i meritojmë hiret e tua. Por tek kush do të drejtohemi, o Mari, nëse jo tek ti, që je Nëna jonë, në duart e së cilës Hyji ka vendosur të gjitha hiret e veta? Ki, pra, mëshirë për ne. Ta kërkojmë këtë për Ngjizjen tënde të Papërlyer dhe për dashurinë që të shtyu të na dhuroje Medaljen tënde të çmuar.
Të falemi Mari…
O Mari, e zënë pa mëkat, lutu për ne që ty të kërkojmë ndihmë.
O Ngushëlluese e të vuajturve, që tashmë u preke nga mjerimet tona, shiko të këqijat nga të cilat jemi të shtypur. Bëj që Medalja jote të derdhë mbi ne dhe mbi të gjithë të dashurit tanë rrezet e saj të dobishme: shëroji të sëmurët tanë, jepu paqen familjeve tona, na shpëto nga çdo rrezik. Medalja jote t’u sjellë ngushëllim atyre që vuajnë, ngushëllim atyre që qajnë, dritë dhe forcë të gjithëve. Por veçanërisht lejo, o Mari, që në këtë orë solemne të të kërkojmë kthimin e mëkatarëve, veçanërisht të atyre që kanë më shumë nevojë për mëshirën tënde. Kujto se edhe ata janë bijtë e tu, për të cilët ke vuajtur, je lutur dhe ke qarë. Shpëtoji të gjithë bijtë e tu, që një ditë të mund të të falënderojnë dhe të të lavdërojnë përjetësisht në Qiell. Amen.
Të falemi Mbretëreshë…
O Mari, e zënë pa mëkat, lutu për ne që ty të kërkojmë ndihmë.

