in

T’u shpjegosh fëmijëve Kurorën e Ardhjes

advent-wreath-1879730_640
Foto nga Myriams-Fotos nga Pixabay

Eja, Dritë e vërtetë, ti që ndriçon çdo njeri. Ndriço errësirën tonë dhe nuk do të kemi më frikë, sepse ti, Jezus, je drita e udhës sonë. Na ndihmo ta çojmë dritën tënde te vëllezërit tanë. Amen

Kurora e Adventit është një simbol i Krishtlindjes, që na shoqëron gjatë katër të dielave para Krishtlindjes, deri në ditën e Lindjes së Zotit.

Ajo përbëhet nga një rreth i madh me degë bredhi, pishe ose dafine, i zbukuruar me fjongo të kuqe, mbi të cilin vendosen katër qirinj, që ndizen njëri pas tjetrit në shtëpi, nga një çdo të diel.

Kjo kurorë paraqet shumë simbole:

Së pari, formën rrethore:

Rrethi konsiderohet forma e përsosur gjeometrike, pasi nuk ka as pikënisje, as fund: prandaj ai përfaqëson Zotin tonë, të përjetshëm dhe të pandryshueshëm, si edhe kohën e Kishës, e cila vit pas viti kremton misterin e Mishërimit, të vdekjes dhe të Ngjalljes së Jezusit, në vijimësinë e pandërprerë të viteve, deri në ditën e fundit të Paruzisë, kur Jezusi do të kthehet në lavdi…

Së dyti, degët e pishës:

Pema na kujton pemën e jetës, që gjendej në parajsën tokësore (shih Zanafilla 2,9), e, si rrjedhojë, edhe pemën e kryqit, nëpërmjet të cilit Jezusi e ka çliruar njeriun nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes.

Së treti, simbolin e dritës së qirinjve:

Ajo përfaqëson Jezusin, dritën e vërtetë të botës, që erdhi për të ndriçuar çdo njeri. Domethënëse janë fjalët e njërit prej himneve me të cilat Kisha çel lutjen e mëngjesit:

«Ikni, natë, errësirë e mjegull, po hyn drita, po vjen Krishti Zot…»

Ndezja njëra pas tjetrës e katër qirinjve, të dielë pas të diele, deri në Krishtlindje, na kujton etapat e historisë së shpëtimit dhe simbolizon dritën profetike që ndriçonte natën e pritjes së Mesisë.

Këtë udhëtim mund ta përshkojmë nëpërmjet katër figurave themelore të Biblës, që na shoqërojnë nga premtimi i shpëtimit deri në përmbushjen e tij:

Qiriu i parë: Premtimi i shpëtimit te Abrahami, ati ynë në fe.
Zoti lidh një besëlidhje me Abrahamin dhe i premton një pasardhje, nëpërmjet së cilës do të bekohen të gjitha kombet. Abrahami, duke iu bindur zërit të Zotit, niset pa e ditur se ku do ta çonte JHWH-ja, duke i besuar premtimit të Tij: «Do të bëj prej teje një popull të madh dhe do të të bekoj» (shih Zanafilla 12,2).

Qiriu i dytë: Pritja e Mesisë te profeti Isaia.
Nëpërmjet profetëve, Zoti e mban gjallë shpresën e popullit të vet dhe lajmëron ardhjen e një Shpëtimtari. Ndër ta, Isaia, rreth 750 vjet para lindjes së Jezusit, paralajmëron ardhjen e tij, duke mbështetur, ngushëlluar dhe nxitur me forcë popullin hebre, që të mos e humbë shpresën se një ditë do ta shohë të vijë mes tyre.

Qiriu i tretë: Përgatitja për ardhjen e Jezusit. E diela «Gaudete».
Gjoni Pagëzuesi fton në pendesë dhe përgatit popullin për ta pritur Mesinë. Atij i jepet privilegji ta takojë Jezusin dhe t’ua bëjë të njohur njerëzve të të gjitha kohërave: «Ja Qengji i Hyjit, ja ai që heq mëkatin e botës!» (Gjn 1,29). Është e diela në të cilën liturgjia na fton vazhdimisht të gëzohemi në Zotin që po vjen.

Qiriu i katërt: Përmbushja e premtimit falë Marisë.
Maria e pranon planin e Zotit dhe, duke i thënë «po» engjëllit Gabriel, bëhet nëna e Jezusit, Shpëtimtarit të pritur, nëpërmjet të cilit Zoti e realizon planin e vet të shpëtimit për çdo njeri.

Me qiriun e pestë, të vendosur në qendër të kurorës, kremtojmë Krishtlindjen e Zotit. Premtimi u përmbush: Jezusi u mishërua dy mijë vjet më parë dhe ne presim me besim kthimin e tij të lavdishëm në fund të kohëve, siç shpallim çdo të diel në Kredon: «… dhe përsëri do të vijë në lavdi për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit»…

Sassoferrato_santa_cecilia_1635-50_ca._03

Shën Çeçilia, martire – 22 nëntor