in

Koha e Ardhjes është koha e pranisë dhe e pritjes së të Amshuarit (Benedikti XVI)

“Adventi është koha liturgjike prej katër javësh që përgatit për Krishtlindje, duke kujtuar pritjen e lindjes së Jezusit dhe duke i ftuar të krishterët të përgatiten shpirtërisht për ardhjen e tij.“

star-6880592_1280
Foto nga ELG21 nga Pixabay

Të dashur vëllezër e motra,

me këtë kremtim të mbrëmjes hyjmë në kohën liturgjike të Adventit. Në leximin biblik që sapo dëgjuam, marrë nga Letra e Parë drejtuar Selanikasve, apostulli Pal na fton të përgatitemi për «ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht» (5,23), duke u ruajtur të patëmetë, me hirin e Hyjit. Pali përdor pikërisht fjalën «ardhje», në latinisht adventus, prej së cilës rrjedh termi Advent.

Le të ndalemi shkurtimisht te kuptimi i kësaj fjale, që mund të përkthehet si «prani», «mbërritje», «ardhje». Në gjuhën e botës së lashtë ishte një term teknik, që përdorej për të treguar mbërritjen e një nëpunësi, vizitën e mbretit ose të perandorit në një provincë. Por mund të tregonte edhe ardhjen e hyjnisë, e cila del nga fshehtësia për t’u shfaqur me fuqi, ose që kremtohet si e pranishme në kult. Të krishterët e përvetësuan fjalën «advent» për të shprehur marrëdhënien e tyre me Jezu Krishtin: Jezusi është Mbreti që hyri në këtë «provincë» të varfër të quajtur tokë për t’i bërë vizitë gjithkujt; në festën e ardhjes së tij merr pjesë kushdo që beson në Të, kushdo që beson në praninë e tij në bashkësinë liturgjike. Me fjalën adventus nënkuptohej, në thelb, të thuhej: Hyji është këtu, nuk është tërhequr nga bota, nuk na ka lënë vetëm. Edhe pse nuk mund ta shohim e ta prekim, siç ndodh me realitetet e prekshme, Ai është këtu dhe vjen të na vizitojë në shumë mënyra.

Kuptimi i shprehjes «advent» përfshin, pra, edhe atë të visitatio, që thjesht dhe saktësisht do të thotë «vizitë»; në këtë rast bëhet fjalë për vizitën e Hyjit: Ai hyn në jetën time dhe dëshiron të më drejtohet mua. Në jetën e përditshme, të gjithë e përjetojmë se kemi pak kohë për Zotin e po ashtu pak kohë për veten. Përfundojmë duke u përpirë nga «të bërit». A nuk është e vërtetë se shpesh është pikërisht veprimtaria ajo që na pushton, dhe shoqëria me interesat e saj të shumta ajo që na monopolizon vëmendjen? A nuk është e vërtetë se i kushtojmë shumë kohë argëtimit dhe llojeve të ndryshme të zbavitjes? Nganjëherë gjërat na «marrin me vete». Adventi, kjo kohë e rëndësishme liturgjike që po fillojmë, na fton të ndalemi në heshtje, për të kuptuar një prani. Është një ftesë për të kuptuar se ngjarjet e veçanta të ditës janë shenja që Hyji na drejton, shenja të kujdesit që Ai ka për secilin prej nesh. Sa shpesh Hyji na bën të ndiejmë diçka nga dashuria e tij! Të mbajmë, si të thuash, një «ditar të brendshëm» të kësaj dashurie do të ishte një detyrë e bukur dhe e dobishme për jetën tonë! Adventi na fton dhe na nxit të soditim Zotin e pranishëm. A nuk duhet të na ndihmojë siguria e pranisë së tij që ta shohim botën me sy të tjerë? A nuk duhet të na ndihmojë ta shohim gjithë jetën tonë si një «vizitë», si një mënyrë me të cilën Ai mund të vijë tek ne dhe të bëhet i afërt me ne, në çdo rrethanë?

Një tjetër element themelor i Adventit është pritja, e cila është njëkohësisht shpresë. Adventi na shtyn të kuptojmë kuptimin e kohës dhe të historisë si «kairós», si një mundësi e favorshme për shpëtimin tonë. Jezusi e ka shpjeguar këtë realitet misterioz në shumë shëmbëlltyra: në tregimin për shërbëtorët që janë ftuar të presin kthimin e zotërisë; në shëmbëlltyrën e virgjërave që presin dhëndrin; ose në ato të mbjelljes dhe të korrjes. Njeriu, gjatë jetës së tij, pret vazhdimisht: kur është fëmijë dëshiron të rritet, si i rritur synon përmbushjen dhe suksesin, ndërsa, duke u plakur, dëshiron pushimin e merituar. Por vjen një kohë kur ai zbulon se ka shpresuar shumë pak, nëse, përtej profesionit ose pozitës shoqërore, nuk i mbetet më asgjë tjetër për të shpresuar. Shpresa shënon udhën e njerëzimit, por për të krishterët ajo gjallërohet nga një siguri: Zoti është i pranishëm në rrjedhën e jetës sonë, na shoqëron dhe një ditë do të na fshijë edhe lotët. Një ditë, jo të largët, gjithçka do të gjejë përmbushjen e vet në Mbretërinë e Hyjit, Mbretëri e drejtësisë dhe e paqes.

Por ka mënyra shumë të ndryshme të pritjes. Nëse koha nuk mbushet me një të tashme që ka kuptim, pritja rrezikon të bëhet e padurueshme; nëse pritet diçka, por në këtë çast nuk ka asgjë, nëse e tashmja, pra, mbetet e zbrazët, çdo çast që kalon duket tepër i gjatë dhe pritja shndërrohet në një barrë tepër të rëndë, sepse e ardhmja mbetet krejtësisht e pasigurt. Kurse, kur koha ka kuptim dhe në çdo çast ndiejmë diçka të veçantë e të vlefshme, atëherë gëzimi i pritjes e bën të tashmen më të çmuar. Të dashur vëllezër e motra, le ta jetojmë me intensitet të tashmen, ku na arrijnë tashmë dhuratat e Zotit; le ta jetojmë duke u drejtuar kah e ardhmja, një e ardhme e mbushur me shpresë. Në këtë mënyrë, Adventi i krishterë bëhet një mundësi për të zgjuar sërish tek ne ndjenjën e vërtetë të pritjes, duke u kthyer te zemra e fesë sonë, që është misteri i Krishtit, Mesisë i pritur për shekuj të gjatë dhe i lindur në varfërinë e Betlehemit. Duke ardhur mes nesh, Ai na solli dhe vazhdon të na ofrojë dhuratën e dashurisë dhe të shpëtimit të tij. I pranishëm mes nesh, na flet në shumë mënyra: në Shkrimin e Shenjtë, në vitin liturgjik, te shenjtorët, në ngjarjet e jetës së përditshme, në gjithë krijimin, i cili merr pamje tjetër, sipas faktit nëse pas tij është Ai apo nëse errësohet nga mjegulla e një origjine dhe e një të ardhmeje të pasigurt. Nga ana jonë, ne mund t’i drejtohemi Atij, t’ia paraqesim vuajtjet që na mundojnë, padurimin dhe pyetjet që na burojnë nga zemra. Jemi të sigurt se Ai na dëgjon gjithmonë! Dhe nëse Jezusi është i pranishëm, nuk ka më kohë pa kuptim dhe të zbrazët. Nëse Ai është i pranishëm, mund të vazhdojmë të shpresojmë edhe kur të tjerët nuk mund të na ofrojnë më asnjë mbështetje, edhe kur e tashmja bëhet e vështirë.

Të dashur miq, Adventi është koha e pranisë dhe e pritjes së të Amshuarit. Pikërisht për këtë arsye, është veçanërisht koha e gëzimit, e një gëzimi që përjetohet në brendësi dhe që asnjë vuajtje nuk mund ta shuajë. Gëzimi që Hyji u bë fëmijë. Ky gëzim, i pranishëm në mënyrë të padukshme në ne, na jep zemër të ecim të sigurt. Shembull dhe mbështetje e këtij gëzimi të thellë është Virgjëra Mari, përmes së cilës na u dhurua Foshnja Jezus. Ajo, dishepullja besnike e Birit të saj, na e dhëntë hirin ta jetojmë këtë kohë liturgjike syçelë dhe të zellshëm në pritje. Amen!

Benedikti XVI (homelia e vitit 2009)


Përkthyer nga Miqtë e Llazarit

© Tutti i diritti riservati. Riproduzione consentita solo chiedendo permesso a info@amicidilazzaro.it
(non verrà concesso a siti con pubblicità/ads o per usi commerciali)

© All rights reserved. Reproduction allowed only with permission from info@amicidilazzaro.it
(it will not be granted to sites with advertising/ads or for commercial uses)

christ-child-514213_1280

Këshillat e Shën Gjon Boskos për t’u përgatitur për Krishtlindje