
Dhe kështu, ne do të ngrihemi sa herë që jeta njerëzore kërcënohet. Kur shenjtëria e jetës para lindjes sulmohet, ne do të ngrihemi dhe do të shpallim se askush nuk ka kurrë autoritetin për të shkatërruar jetën e palindur.
Kur një fëmijë përshkruhet si një barrë ose shihet vetëm si një mjet për të kënaqur një nevojë emocionale, ne do të ngrihemi dhe do të këmbëngulim që çdo fëmijë është një dhuratë unike dhe e papërsëritshme e Zotit, me të drejtën për një familje të dashur dhe të bashkuar.
Kur institucioni i martesës braktiset në favor të egoizmit njerëzor ose reduktohet në një rregullim të përkohshëm, të kushtëzuar që mund të ndërpritet lehtësisht, ne do të ngrihemi dhe do të pohojmë pazgjidhshmërinë e lidhjes martesore. Kur vlera e familjes kërcënohet për shkak të presioneve sociale dhe ekonomike, ne do të ngrihemi dhe do të riafirmojmë se familja është “e nevojshme jo vetëm për të mirën private të çdo personi, por edhe për të mirën e përbashkët të çdo shoqërie, kombi dhe shteti” (Audienca e Përgjithshme, 3 janar 1979).
Kur liria përdoret për të dominuar të dobëtit, për të shpërdoruar burimet natyrore dhe energjinë, dhe për t’u mohuar njerëzve nevojat themelore, ne do të ngrihemi dhe do të riafirmojmë kërkesat e drejtësisë dhe dashurisë shoqërore. Kur të sëmurët, të moshuarit ose ata që janë në prag të vdekjes braktisen në vetmi, ne do të ngrihemi dhe do të shpallim se ata janë të denjë për dashuri, kujdes dhe respekt.
Papa Gjon Pali II

