in

Fjetja e Nënës së Hyjit (Papa Gjon Pali II)(Shën Gjon Pali II)

Tizian_041
Titian, Public domain, via Wikimedia Commons

Lidhur me përfundimin e jetës tokësore të Marisë, Koncili rimerr termat e Bulës së përcaktimit të dogmës së Marrjes në Qiell dhe pohon: “Virgjëra e Papërlyer, e ruajtur e paprekur nga çdo njollë e mëkatit fillestar, pasi përfundoi rrjedhën e jetës së saj tokësore, u mor në lavdinë qiellore me trup e me shpirt” (Lumen Gentium, 59). Me këtë formulë, Kushtetuta dogmatike Lumen gentium, duke ndjekur Paraardhësin tim të nderuar, Piun XII, nuk shprehet për çështjen e vdekjes së Marisë. Megjithatë, Piu XII nuk kishte për qëllim ta mohonte faktin e vdekjes, por vetëm nuk e gjykoi të përshtatshme ta shpallte solemnisht, si të vërtetë që duhej pranuar nga të gjithë besimtarët, vdekjen e Nënës së Hyjit. Disa teologë, në të vërtetë, kanë mbështetur përjashtimin e Virgjërës nga vdekja dhe kalimin e saj të drejtpërdrejtë nga jeta tokësore në lavdinë qiellore. Megjithatë, ky mendim është i panjohur deri në shekullin XVII, ndërsa në të vërtetë ekziston një traditë e përbashkët që e sheh në vdekjen e Marisë hyrjen e saj në lavdinë qiellore.

A është e mundur që Maria e Nazaretit ta ketë përjetuar në trupin e saj dramën e vdekjes? Duke reflektuar mbi fatin e Marisë dhe mbi marrëdhënien e saj me Birin hyjnor, duket e ligjshme të përgjigjemi pohativisht: meqenëse Krishti ka vdekur, do të ishte e vështirë të mbështetej e kundërta për Nënën e tij. Në këtë kuptim kanë arsyetuar Etërit e Kishës, të cilët nuk kanë pasur asnjë dyshim për këtë. Mjafton të përmendim Shën Jakobin e Sarugut (+ 521), sipas të cilit “kori i dymbëdhjetë Apostujve”, kur për Marinë erdhi “koha për të ecur në rrugën e të gjitha brezave”, domethënë në rrugën e vdekjes, u mblodh për të varrosur “trupin virgjëror të së Bekuarës” (Fjalim mbi varrimin e Nënës së Shenjtë të Hyjit, 87-99 në C. VONA, Lateranum 19 [1953], 188). Shën Modesti i Jerusalemit (+ 634), pasi ka folur gjerësisht për “fjetjen tejet të lumtur të Nënës së lavdishme të Hyjit”, e përfundon “lavdërimin” e tij duke lartësuar ndërhyrjen e mrekullueshme të Krishtit, i cili “e ringjalli nga varri” për ta marrë me vete në lavdi (Shën Modesti i Jerusalemit, Enc. in dormitionem Deiparae semperque Virginis Mariae, nr. 7 dhe 14: PG 86 bis, 3293; 3311). Shën Gjoni Damaskini (+ 704), nga ana e tij, pyet: “Si është e mundur që ajo që gjatë lindjes kapërceu të gjithë kufijtë e natyrës, tani t’u nënshtrohet ligjeve të saj dhe trupi i saj i papërlyer t’i nënshtrohet vdekjes?”. Dhe përgjigjet: “Me siguri duhej që pjesa e vdekshme të lihej mënjanë për t’u veshur me pavdekësinë, sepse edhe Zoti i natyrës nuk e refuzoi përvojën e vdekjes. Ai, në të vërtetë, vdes sipas mishit dhe me vdekjen e shkatërron vdekjen, kalbjes i jep pakorruptueshmërinë dhe vdekjen e bën burim të ringjalljes”. (Shën Gjoni Damaskini, Panegjirik mbi Fjetjen e Nënës së Hyjit, 10: SC 80,107).

Është e vërtetë se në Zbulesë vdekja paraqitet si ndëshkim i mëkatit. Megjithatë, fakti që Kisha e shpall Marinë të çliruar nga mëkati fillestar me një privilegj të veçantë hyjnor nuk çon në përfundimin se ajo ka marrë edhe pavdekësinë trupore. Nëna nuk është mbi Birin, i cili e ka pranuar vdekjen, duke i dhënë asaj një kuptim të ri dhe duke e shndërruar në mjet shpëtimi. E përfshirë në veprën shëlbuese dhe e bashkuar me flijimin shpëtimtar të Krishtit, Maria ka mundur të ndajë vuajtjen dhe vdekjen në funksion të shëlbimit të njerëzimit. Edhe për të vlen ajo që Severi i Antiokisë pohon për Krishtin: “Pa një vdekje paraprake, si do të mund të ndodhte ringjallja?” (Severi i Antiokisë, Antiiulianistica, Beirut 1931, 194s). Për të marrë pjesë në ringjalljen e Krishtit, Maria duhej së pari të ndante vdekjen e tij.

Dhiata e Re nuk jep asnjë të dhënë mbi rrethanat e vdekjes së Marisë. Kjo heshtje na shtyn të supozojmë se ajo ka ndodhur normalisht, pa ndonjë veçanti që meritonte të përmendej. Po të mos kishte qenë kështu, si do të mund të mbetej lajmi i fshehur nga bashkëkohësit dhe të mos arrinte, në ndonjë mënyrë, deri tek ne? Për sa u përket shkaqeve të vdekjes së Marisë, nuk duken të bazuara mendimet që do të donin të përjashtonin për të shkaqet natyrore. Më e rëndësishme është kërkimi mbi qëndrimin shpirtëror të Virgjërës në çastin e ndarjes së saj nga kjo botë. Në këtë drejtim, Shën Françesku i Salesit mendon se vdekja e Marisë ka ndodhur si pasojë e një vrulli dashurie. Ai flet për një vdekje “në dashuri, për shkak të dashurisë dhe nga dashuria”, duke arritur kështu të pohojë se Nëna e Hyjit vdiq nga dashuria për birin e saj Jezus (Shën Françesku i Salesit, Traité de l’Amour de Dieu, Lib. 7, k. XIII-XIV). Cilido të ketë qenë fakti organik dhe biologjik që, nga pikëpamja fizike, shkaktoi përfundimin e jetës së trupit, mund të thuhet se kalimi nga kjo jetë në jetën tjetër ishte për Marinë një pjekje e hirit në lavdi, kështu që kurrë si në atë rast vdekja nuk mund të konceptohej si një “fjetje”.

Në disa Etër të Kishës gjejmë përshkrimin e vetë Jezusit që vjen për të marrë nënën e tij në çastin e vdekjes, për ta futur në lavdinë qiellore. Në këtë mënyrë, ata e paraqesin vdekjen e Marisë si një ngjarje dashurie që e ka çuar atë të arrijë Birin e saj hyjnor për të ndarë me të jetën e pavdekshme. Në fund të ekzistencës së saj tokësore, ajo do ta ketë përjetuar, si Pali dhe më shumë se ai, dëshirën për t’u liruar nga trupi për të qenë përgjithmonë me Krishtin (krh. Fil 1, 23).

Papa Gjon Pali II – 25 qershor 1997

1024px-Le_Grand_Saint_Michel_by_Raffaello_Sanzio_from_C2RMF_retouched

Lutje drejtuar Shën Mëhillit Kryeengjëll

sindone-torino-wikicommons

Analiza e artikullit “Formimi i imazhit në Qefinin e Shenjtë të Jezusit të Torinos – Një qasje dixhitale 3D” nga Cicero Moraes