
Tani dua vetëm ty, ndjek vetëm ty, kërkoj vetëm ty dhe jam gati të të shërbej vetëm ty, sepse vetëm ti e ushtron sundimin tënd me drejtësi; dua të të përkas.
Urdhëromë, të lutem, dhe urdhëro çfarë të duash; por shëroji dhe m’i çel veshët, që të dëgjoj zërin tënd. Shëroji dhe m’i çel sytë, që të shoh shenjat e tua. Largomë prej vetes atë që më ngatërron dhe më largon prej teje, që të mund të të njoh.
Më trego ku duhet të shikoj, që të të shoh, dhe shpresoj të bëj gjithçka që do të më kërkosh.
Pranoje, të lutem, të arratisurin tënd, o Zot, Atë plot mëshirë. Tashmë kam vuajtur mjaft dënimin tim; u kam shërbyer mjaft armiqve të tu, të cilët i mban nën këmbët e tua; kam qenë mjaft gjatë viktimë e mashtrimeve të tyre.
Pranoje shërbëtorin tënd, që ikën prej tyre, sepse edhe ata më pranuan si të huaj kur po ikja prej teje.
Ndiej se duhet të kthehem te ti: hape derën tënde për mua, që po trokas; më mëso si të arrij tek ti.
Nuk kam asgjë veç vullnetit tim; di vetëm se duhet të lë pas atë që është kalimtare dhe e destinuar të marrë fund, dhe të kërkoj atë që është e sigurt dhe e përjetshme.
Këtë bëj, Atë, sepse vetëm këtë di; por nuk e di cila është rruga për të arritur tek ti. Ti ma trego; ti ma trego rrugën dhe më jep atë që nevojitet për udhëtimin.
Nëse ata që gjejnë strehë tek ti të gjejnë përmes besimit, më jep besimin; nëse përmes virtytit, më jep virtytin; nëse përmes njohjes, më jep njohjen.
Shtoje tek unë besimin, shto shpresën, shto dashurinë. O mirësia jote, kaq e madhe dhe e pashoqe!
Shën Agustini, Solilokue, I, 1, 5

