
Që të bëhemi gra të vërteta të kushtuara, duhet të dashurohemi gjithnjë e më thellë me Jezusin. Ta duam me të gjitha aftësitë tona, me trup e me shpirt. Askush të mos thotë se një grua në botë e do burrin e saj më shumë sesa ne duam Jezusin. Kjo është e drejta dhe privilegji ynë, sepse, si gra, jemi krijuar për të dashur dhe për t’u dashur.
Sa më thellë të jetë pushtuar një shpirt nga dashuria, aq më shumë identifikohet me gjithë njerëzimin, sepse dashuria e çon të marrë pjesë në çdo vuajtje, kudo që ka shpirtra për të shpëtuar. Si misionare dhe gra të kushtuara, duhet ta vendosim dashurinë në radhë të parë në jetën tonë. Kushtet tona, apostullimi dhe jeta jonë në bashkësi janë të gjitha fryt i bashkimit tonë të dashurisë me Jezusin.
Kushti
Kushti i dëlirësisë nuk është thjesht një listë ndalimesh: është dashuri… Është dhënie dhe marrje: unë ia dhuroj veten Hyjit dhe e marr Hyjin. Hyji bëhet imi dhe unë bëhem e tija. Ja përse, nëpërmjet kushtit të dëlirësisë, i kushtohem tërësisht Atij.
Besnikëria
Në Romë, një grua më tregoi historinë e saj. Ditën kur doli nga kisha, pasi u martua, u dashurua me një burrë tjetër. Për njëzet e gjashtë vjet jetoi e dashuruar me atë burrë.
«Por unë ia kisha dhënë fjalën këtij burri [bashkëshortit tim] dhe, për t’i qëndruar besnike Hyjit dhe burrit të cilit ia kisha dhënë fjalën, m’u desh t’i thosha “jo” atij [burrit tjetër]. Çdo ditë ishte një kalvar i vërtetë. Sa herë që vjen në Romë: “jo”, edhe pse nuk ndiej asnjë dashuri për burrin me të cilin jam martuar».
Kjo grua tha: «Vdekja, po; mëkati, jo». Njëzet e pesë [vjet] shumëzuar me treqind e gjashtëdhjetë e pesë [ditë] dhe me gjashtëdhjetë minuta!
Tani po flas për një grua të krishterë. Sot ajo e do burrin e saj me një dashuri të pandarë. I kam bërë kushtet Hyjit dhe vetëm vdekja mund të më ndajë prej Tij. Kjo është dëlirësia.
Dëlirësia
Me kushtin e dëlirësisë heq dorë nga gjendja martesore, nga të pasurit e një shtëpie dhe nga krijimi i një familjeje, për dashurinë e Hyjit. Ne katolikët e kuptojmë lehtë këtë, por jokatolikët nuk arrijnë të kuptojnë se si mund të jetojë një grua pa u martuar. Për ta kjo është diçka thellësisht e panatyrshme; e megjithatë e admirojnë, pa kuptuar se çfarë na shtyn të heqim dorë nga një e drejtë që na përket.
Me kushtin e dëlirësisë, nuk heq dorë vetëm nga jeta martesore, por ia kushtoj Hyjit edhe përdorimin e lirë të veprimeve të mia të brendshme e të jashtme, të ndjenjave të mia. Nuk mund, me ndërgjegje, ta dua një krijesë me dashurinë e një gruaje për një burrë. Nuk kam më të drejtë t’ia rezervoj asnjë krijese tjetër atë dashuri që i përket Hyjit…
Liria
Njerëzit që jetojnë në botë mendojnë se kushti i dëlirësisë na bën çnjerëzore, se na shndërron në qenie prej guri, pa ndjenja. Secila prej nesh mund të dëshmojë se nuk është kështu.
Pikërisht kushti i dëlirësisë na dhuron lirinë për t’i dashur të gjithë, në vend që të bëhemi nëna të tre a katër fëmijëve. Një grua e martuar mund të dojë vetëm një burrë; ne mund ta duam gjithë botën në Hyjin.
Kushti i dëlirësisë nuk na varfëron: na mundëson të jetojmë plotësisht, nëse e mbajmë me besnikëri dhe nuk e konsiderojmë thjesht si një tërësi ndalimesh.
Kushti i dëlirësisë nuk është thjesht një listë ndalimesh: është dashuri. Prandaj mund ta shikojmë secilin dhe t’i themi: «I dua të gjithë».
Në Kushtetutat tona lexojmë se duhet ta duam njëri-tjetrin me dashuri të thellë. Mund ta bëjmë këtë sepse e duam Hyjin.
Është dhënie dhe marrje: unë ia dhuroj veten Hyjit dhe e marr Hyjin. Hyji bëhet imi dhe unë bëhem e tija. Ja përse, nëpërmjet kushtit të dëlirësisë, i kushtohem tërësisht Atij.
Dhe kur përulemi duke iu dorëzuar mendimeve të papastra, hedhim tej gurë të çmuar për të mbledhur baltë. Në jetën tonë shpirtërore zotërojmë Hyjin, të Gjithëpushtetshëm dhe pafundësisht të madh, e megjithatë përulemi para një krijese.
Është e pakonceptueshme që të largohemi nga Hyji i Gjithëpushtetshëm për t’u marrë me një krijesë, sado e mirë të jetë ajo (i referohet dëlirësisë). Është si një fëmijë i vogël që, në vend se të zgjedhë ëmbëlsira, kthehet për të ngrënë suvanë e një muri, madje edhe baltë.
Duhet të shohim brenda vetes me sinqeritet, sepse dëshira për t’u ulur deri te ajo «baltë» është e pranishme te secila prej nesh; por disa i dorëzohen, ndërsa të tjerat i kthejnë shpinën.
Nënë Tereza e Kalkutës
Shën Tereza e Kalkutës (1910–1997) ia kushtoi jetën dashurisë për Jezusin, duke u shërbyer më të varfërve dhe më të pambrojturve. Ajo themeloi Misionaret e Bamirësisë, një kongregatë fetare që sot është e pranishme në mbarë botën, anëtaret e së cilës përqafojnë një jetë varfërie dhe i përkushtohen kujdesit për njerëzit më në nevojë në vendet ku shërbejnë. Me dëshminë e saj, ajo tregoi se dëlirësia e vërtetë dhe besnikëria i kanë rrënjët në një dashuri të pandarë për Hyjin, e cila shfaqet në dashurinë bujare dhe në shërbimin ndaj çdo qenieje njerëzore. Kujtimi i saj liturgjik kremtohet më 5 shtator.

