1. Cili është projekti i Hyjit për njeriun?
Hyji, pafundësisht i përkryer dhe i lum në vetvete, për një projekt tërësisht mirësie e ka krijuar lirisht njeriun për ta bërë pjesëmarrës të jetës së vet të lume. Kur u plotësua koha, Hyji Atë dërgoi Birin e Vet si shëlbues dhe shpëtimtar të njerëzve të rënë në mëkat*, duke i mbledhur në Kishën e Tij dhe duke i bërë fëmijë të birësuar nëpërmjet veprimit të Shpirtit Shenjt* dhe trashëgimtarë të lumnisë së Tij të amshuar.
Njeriu është «i aftë» për ta pranuar Hyjin
«Ti je i madh, o Zot, dhe krejt i denjë për lavd […]. Na ke bërë për Ty dhe zemra jonë nuk gjen pushim derisa nuk pushon në Ty» (Shën Agustini).
2. Përse brenda njeriut banon dëshira për Hyjin?
Vetë Hyji, duke e krijuar njeriun në shëmbëllimin e Vet, ka ngulur në zemrën e tij dëshirën për ta parë Atë. Edhe pse kjo lloj dëshire shpesh nuk njihet, Hyji nuk resht së tërhequri njeriun kah Vetja, me qëllim që ai të jetojë dhe të gjejë në Të atë plotësi të së vërtetës dhe të lumturisë, që e kërkon pareshtur. Prandaj, për nga natyra dhe thirrja njeriu është një qenie fetare, e aftë të hyjë në bashkësi me Perëndinë. Kjo lidhje intime dhe jetësore me Hyjin i jep njeriut dinjitetin e tij themelor.
3. Si mund të njihet Hyji vetëm me dritën e arsyes?
Duke u nisur nga krijimi, d.m.th. nga bota dhe nga personi njerëzor, njeriu, me siguri, mund ta njohë vetëm me arsye Hyjin si zanafillë dhe qëllim të gjithësisë, si të Mirën më të madhe, si të vërtetën dhe bukurinë e pafund.
4. A mjafton vetëm drita e arsyes për ta njohur misterin e Hyjit?
Njeriu, duke e njohur Hyjin vetëm me dritën e arsyes, has shumë vështirësi. Përveç kësaj, ai nuk mund të hyjë i vetëm në gjirin e misterit hyjnor. Për këtë arsye, Perëndia ka dashur të bëjë dritë me Zbulesën e Vet jo vetëm mbi ato të vërteta që e tejkalojnë kuptimin njerëzor, por edhe mbi të vërteta fetare e morale, që, edhe pse në vetvete janë të arritshme për arsyen, të mund të jenë të njohura si të tilla prej të gjithëve pa vështirësi, me qartësi të plotë dhe pa rrezik gabimi.
5. Si mund të flitet për Hyjin?
Është e mundur të flitet për Hyjin, me të gjithë dhe të gjithëve, duke u nisur nga përsosmëritë e njeriut dhe të qenieve të tjera, të cilat janë një shëmbëllim, edhe pse i kufizuar, i përsosmërisë së pakufishme të Perëndisë. Megjithatë, është e domosdoshme që të folurit tonë të pastrohet vazhdimisht prej fantazive dhe gjërave të papërkryera që përmban, duke ditur krejt mirë se kurrë nuk do të jetë e mundur të shprehet plotësisht misteri i pafund i Hyjit.
Hyji i del përpara njeriut
6. Çfarë i zbulon Hyji njeriut?
Hyji, në mirësinë dhe në urtinë e Vet, i zbulohet njeriut. Me ngjarje e me fjalë zbulon Vetveten dhe projektin e Vet të dashamirësisë, që e ka paracaktuar që në amshim në Krishtin për të mirën e njerëzimit. Ky projekt qëndron në faktin se të gjithë njerëzit, për hir të Shpirtit Shenjt, mund të marrin pjesë në jetën hyjnore, si bij të Tij të adoptuar në Birin e Tij të vetëm.
7. Cilat janë etapat e para të Zbulesës së Hyjit?
Hyji, qysh prej fillimit, u shfaqet prindërve të parë, Adamit e Evës dhe i fton në një bashkim intim me Të. Pas rënies së tyre në mëkat, nuk e ndërpret zbulesën e Vet dhe premton shëlbimin për të gjithë pasardhësit e tyre. Pas përmbytjes, bën me Noehin një besëlidhje mes Tij dhe të gjitha qenieve të gjalla.
8. Cilat janë etapat e mëtejshme të Zbulesës së Hyjit?
Hyji zgjedh Abramin duke e thirrur jashtë Vendit të tij për ta bërë atë «babën e shumë kombeve» (Zan 17,5) dhe duke i premtuar se do t’i bekojë në të «të gjitha fiset e tokës» (Zan 12,3). Pasardhësit e Abrahamit do të jenë ruajtësit e premtimeve hyjnore që u janë bërë Patriarkëve. Perëndia formon Izraelin si popullin e Vet të përzgjedhur, duke e shpëtuar atë nga skllavëria e Egjiptit, lidh me të Besëlidhjen e Sinait dhe, nëpërmjet Moisiut, i jep Ligjin e Vet. Profetët shpallin një shëlbim rrënjësor të popullit dhe një shpëtim që do t’i përfshijë të gjitha kombet në një Besëlidhje të re dhe të amshuar. Prej popullit të Izraelit, prej fisit të mbretit David, do të lindë Mesia: Jezusi.
9. Cila është etapa e plotë dhe përfundimtare e Zbulesës së Hyjit?
Kjo etapë është realizuar në Fjalën e Tij të mishëruar, Jezu Krishtin, ndërmjetës dhe plotësi e Zbulesës. Ai, duke qenë i Njëlinduri Bir i Hyjit i bërë njeri, është Fjala e përsosur dhe përfundimtare e Atit. Me dërgimin e Birit dhe me dhurimin e Shpirtit Zbulesa tashmë është kryer plotësisht, edhe pse, përgjatë shekujve, fesë së Kishës do t’i duhet ta kuptojë pak nga pak rëndësinë e madhe të tij.
«Përderisa ai na ka dhuruar Birin e Vet, që është Fjala e Tij e vetme dhe përfundimtare, Hyji na ka thënë gjithçka njëherësh në këtë Fjalë të Tijën dhe nuk ka më asgjë për të thënë» (Shën Gjoni i Kryqit).
10. Çfarë vlere kanë zbulesat private?
Edhe pse nuk i përkasin thesarit të fesë, zbulesat private mund të japin ndihmesën e tyre në të jetuarit e besimit, me kusht që të ruajnë orientimin e tyre të ngushtë kah Krishti. Magjisteri i Kishës, të cilit i takon shoshitja e këtyre zbulesave private, nuk mund t’i pranojë zbulesat që pretendojnë se tejkalojnë apo korrigjojnë Zbulesën përfundimtare që është Krishti.
Përçimi i Zbulesës hyjnore
11. Pse dhe në çfarë mënyre përçohet Zbulesa hyjnore?
Hyji do që «të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe t’ia arrijnë njohjes së të vërtetës» (1 Tim 2,4), pra të Jezu Krishtit. Për këtë arsye është e nevojshme që Krishti t’u kumtohet të gjithë njerëzve, sipas vetë urdhrit të Tij: «Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt» (Mt 28,19). Kjo gjë realizohet me Traditën Apostolike.
12. Çfarë është Tradita Apostolike?
Tradita Apostolike është përçimi i mesazhit të Krishtit, që, qysh prej fillimit të krishterimit, bëhet nëpërmjet predikimit, dëshmisë, institucioneve, kultit, shkrimeve të frymëzuara. Apostujt u kanë përçuar pasardhësve të vet, Ipeshkvijve dhe, nëpërmjet tyre, të gjitha breznive deri në fundin e kohëve, gjërat të cilat i kanë marrë prej Krishtit dhe i kanë mësuar prej Shpirtit Shenjt.
13. Në çfarë mënyrash realizohet Tradita Apostolike?
Tradita Apostolike realizohet në dy mënyra: me përçimin e gjallë të Fjalës së Hyjit (të quajtur edhe thjesht Tradita), dhe me Shkrimin e Shenjtë, që është i njëjti kumtim i shpëtimit, por i shkruar.
14. Çfarë lidhjeje ka mes Traditës dhe Shkrimit të Shenjtë?
Tradita dhe Shkrimi i Shenjtë janë shumë të lidhur mes tyre dhe komunikojnë mes tyre. Ata e bëjnë të gjallë dhe frytdhënës misterin e Krishtit në Kishë dhe rrjedhin nga i njëjti burim hyjnor: përbëjnë një të vetmin thesar të fesë, prej të cilit Kisha merr sigurinë e vet rreth të gjitha të vërtetave të zbuluara.
15. Kujt i është besuar thesari i fesë?
Thesari i fesë i është besuar prej apostujve mbarë Kishës. Mbarë populli i Hyjit, me ndjenjën e mbinatyrshme të fesë [sensus fidei], i mbështetur nga Shpirti Shenjt dhe i udhëhequr nga Magjisteri i Kishës, e pranon Zbulesën hyjnore, gjithnjë e më tepër, e kupton dhe e vë atë në jetë.
16. Kujt i takon ta interpretojë në mënyrë autentike thesarin e fesë?
Interpretimi autentik i këtij thesari i takon të vetmit Magjister të gjallë të Kishës, domethënë Pasardhësit të Pjetrit, Ipeshkvit të Romës, dhe Ipeshkvijve në bashkësi me të. Magjisterit, i cili gëzon karizmën e sigurt të së vërtetës duke i shërbyer Fjalës së Hyjit, i takon të përcaktojë edhe dogmat, që janë formulime të së vërtetës të përmbajtura në Zbulesën hyjnore. Ky autoritet shtrihet edhe në të vërtetat që janë domosdoshmërisht të ndërlidhura me Zbulesën.
17. Çfarë lidhjeje ka mes Shkrimit të Shenjtë, Traditës dhe Magjisterit?
Ata janë të lidhur aq ngushtë me njëri-tjetrin, saqë asnjëri prej tyre nuk ekziston pa tjetrin. Së bashku kontribuojnë në mënyrë të efektshme, secili sipas mënyrës së vet, nën veprimin e Shpirtit Shenjt, për shpëtimin e njerëzve.
Shkrimi i shenjtë
18. Përse Shkrimi i Shenjtë e mëson të vërtetën?
Sepse vetë Hyji është autori i Shkrimit të Shenjtë: për këtë arsye ai quhet i frymëzuar dhe mëson pa gabime ato të vërteta, që janë të nevojshme për shpëtimin tonë. Në fakt, Shpirti Shenjt i ka frymëzuar autorët njerëzorë, të cilët kanë shkruar atë që Ai ka dashur të na mësojë. Megjithatë, feja e krishterë, nuk është «një religjion i Librit», por i Fjalës së Hyjit, që nuk është «një fjalë e shkruar dhe memece, por Fjala e mishëruar dhe e gjallë» (Shën Bernardi i Kiaravales).
19. Si duhet ta lexojmë Shkrimin e Shenjtë?
Shkrimi i Shenjtë duhet të lexohet dhe të interpretohet me ndihmën e Shpirtit Shenjt dhe nën udhëheqjen e Magjisterit të Kishës, sipas tre kritereve: 1) kujdes ndaj përmbajtjes dhe njësisë së krejt Shkrimit; 2) lexim i Shkrimit në Traditën e gjallë të Kishës; 3) respektim i analogjisë së fesë, d.m.th. i lidhjes së të vërtetave të fesë mes tyre.
20. Çfarë është kanoni i Shkrimeve?
Kanoni i Shkrimeve është lista e plotë e shkrimeve të shenjta, që Tradita Apostolike e Kishës ka caktuar. Ky kanon përmban 46 shkrime të Besëlidhjes së Vjetër dhe 27 të Besëlidhjes së Re.
21. Çfarë rëndësie ka Besëlidhja e Vjetër për të krishterët?
Të krishterët e nderojnë Besëlidhjen e Vjetër si Fjalë të vërtetë të Hyjit: të gjitha shkrimet e saj janë hyjnisht të frymëzuara dhe ruajnë një vlerë të gjithmonshme. Ata dëshmojnë pedagogjinë hyjnore të dashurisë shpëtimtare të Hyjit. U shkruan mbi të gjitha për të përgatitur ardhjen e Krishtit, Shpëtimtar të gjithësisë.
22. Çfarë rëndësie ka Besëlidhja e Re për të krishterët?
Besëlidhja e Re, objekti kryesor i të cilës është Jezu Krishti, na dorëzon të vërtetën përfundimtare të Zbulesës hyjnore. Në këtë Besëlidhje, katër Ungjijtë e Mateut, Markut, Lukës dhe Gjonit, duke qenë dëshmia kryesore mbi jetën dhe doktrinën e Jezusit, përbëjnë zemrën e të gjithë Shkrimeve dhe zënë një vend unik në Kishë.
23. Çfarë njësie ekziston ndërmjet Besëlidhjes së Vjetër dhe Besëlidhjes së Re?
Shkrimi është një, meqë një është Fjala e Hyjit, një është projekti shpëtimtar i Hyjit, një është frymëzimi hyjnor i të dyja Besëlidhjeve. Besëlidhja e Vjetër përgatit Besëlidhjen e Re dhe Besëlidhja e Re përmbush Besëlidhjen e Vjetër: të dyja ndriçojnë njëra-tjetrën.
24. Çfarë funksioni ka Shkrimi i Shenjtë në jetën e Kishës?
Shkrimi i Shenjtë mbështet dhe fuqizon jetën e Kishës. Për bijtë e saj ajo është patundshmëri e fesë, ushqim dhe burim i jetës shpirtërore. Është shpirti frymëzues i teologjisë dhe i predikimit baritor. Thotë Psalmisti: ai është «dritëz për këmbët e mia, dritë për udhët e mia» (Ps 119,105). Prandaj Kisha nxit një lexim të shpeshtë të Shkrimit të Shenjtë, sepse «mosnjohja e Shkrimeve është mosnjohje e Krishtit» (Shën Jeronimi).
Unë besoj
25. Si i përgjigjet njeriu Hyjit që i zbulohet atij?
Njeriu, i mbështetur prej hirit hyjnor, i përgjigjet me dëgjesën e besimit, domethënë i beson plotësisht Hyjit dhe pranon të Vërtetën e Tij, meqë garantohet prej Tij, që është vetë e Vërteta.
26. Cilët janë dëshmitarët kryesorë të dëgjesës së besimit në Shkrimin e Shenjtë?
Ka shumë dëshmitarë, dy në veçanti: Abrahami, i cili, i vënë në provë, «i besoi Hyjit» (Rom 4,3) dhe gjithmonë iu bind thirrjes së Tij, dhe për këtë u bë «ati i të gjithë besimtarëve» (Rom 4,11.18); dhe Virgjëra Mari, e cila realizoi në mënyrën më të përkryer, gjatë krejt jetës së saj, dëgjesën e besimit: «Fiat mihi secundum Verbum tuum – më ndodhtë siç the ti» (Lk 1,38).
27. Çfarë do të thotë për njeriun të besojë në Hyjin?
Do të thotë të bashkohet me vetë Hyjin, duke ia besuar veten Atij dhe duke miratuar të gjitha të vërtetat e zbuluara prej Tij, sepse Hyji është e Vërteta. Do të thotë të besosh në një Hyj të vetëm në tre Persona (tri Veta): Atin, Birin e Shpirtin Shenjt.
28. Cilat janë karakteristikat e besimit?
Besimi, dhuratë falas e Hyjit, mund të pranohet prej atyre që e kërkojnë me përvujtëri, është virtyti mbinatyror i nevojshëm për t’u shpëtuar. Akti i besimit është një akt njerëzor, do të thotë një akt i inteligjencës së njeriut që, nën shtytjen e vullnetit të vënë në lëvizje prej Hyjit, jep lirisht miratimin e vet ndaj së vërtetës hyjnore. Gjithashtu feja është e sigurt, sepse është e bazuar mbi Fjalën e Hyjit; është vepruese «me dashuri» (Gal 5,6); është në rritje të vazhdueshme, falë dëgjimit të Fjalës së Hyjit dhe lutjes. Ajo, qysh tani na bën të parashijojmë gëzimin qiellor.
29. Përse s’ka kundërshtime mes fesë dhe shkencës?
Edhe pse feja e tejkalon arsyen, nuk mund të ketë kurrë kundërshtime mes fesë dhe shkencës, pasi të dyja e kanë zanfillën te Hyji. Vetë Hyji është Ai që i jep njeriut si dritën e arsyes, ashtu edhe fenë.
«Beso për të kuptuar, kupto për të besuar» (Shën Agustini).
Ne besojmë
30. Përse besimi është një akt vetjak dhe në të njëjtën kohë kishtar?
Besimi është një akt vetjak, falë përgjigjes së lirë të njeriut ndaj Hyjit që zbulohet. Por në të njëjtën kohë është edhe një akt kishtar, që shprehet në shpalljen «Ne besojmë». Në fakt, është Kisha ajo që beson: ajo, në këtë mënyrë, me hirin e Shpirtit Shenjt, i paraprin, e lind dhe e ushqen besimin e çdo të krishteri. Për këtë arsye Kisha është Nënë dhe Mësuese.
«Nuk mund ta ketë Atë Hyjin ai që nuk e ka Nënë Kishën» (Shën Çipriani).
31. Përse janë të rëndësishme formulat e fesë?
Formulat e fesë janë të rëndësishme, sepse mundësojnë të shprehim, të përvetësojmë, të kremtojmë dhe të bashkëndajmë me të tjerët të vërtetat e fesë, duke përdorur një gjuhë të përbashkët.
32. Në ç’mënyrë feja e Kishës është një e vetme?
Kisha, megjithëse është e formuar nga persona të ndryshëm përsa i takon gjuhës, kulturës e riteve, dëshmon njëzëri fenë e vetme të marrë nga një Zot i vetëm dhe të përçuar prej një Tradite të vetme Apostolike. Shpall një Hyj të vetëm – Atë, Bir dhe Shpirt Shenjt – dhe dëfton një rrugë të vetme shpëtimi. Prandaj, ne u besojmë, me një zemër të vetme e një shpirt të vetëm, gjërave që përmban Fjala e Hyjit, e përçuar ose e shkruar dhe që propozohet nga Kisha si hyjnisht e zbuluar.
Besojma Apostolike
Besoj në Hyjin, Atin e gjithëpushtetshëm,
Krijuesin e qiellit e të tokës.
Në Jezu Krishtin, Birin e Tij të vetëm,
Zotin tonë, i cili u ngjiz
për virtyt të Shpirtit Shenjt,
lindi prej Marisë Virgjër,
pësoi mundimet nën Poncin Pilat, qe kryqëzuar
vdiq e u varros; zbriti në mbretërinë e të vdekurve
të tretën ditë u ngjall prej të vdekurve;
u ngjit në qiell, rri në të djathtën e Atit të gjithëpushtetshëm,
prej aty do të vijë për të gjykuar
të gjallët e të vdekurit.
Besoj në Shpirtin Shenjt,
shenjten Kishë katolike,
bashkësinë e shenjtërve,
faljen e mëkateve,
ngjalljen e trupit,
jetën e pasosur.
Amen.
Symbolum Apostolicum
Credo in Deum Patrem omnipoténtem, Creatórem cæli et terræ,
et in Iesum Christum, Fílium Eius únicum, Dóminum nostrum, qui concéptus est de Spíritu Sancto, natus ex María Virgine.
passus sub Póntio Pilàto, crucifíxus, mórtuus, et sepúltus, descéndit ad ínferos, tértia die resurréxit a mórtuis, ascéndit ad cælos, sedet ad déxteram Dei Patris omnipoténtis, inde ventúrus est iudicáre vivos et mórtuos.
Et in Spíritum Sanctum,
sanctam Ecclésiam cathólicam,
sanctórum communiónem,
remissiónem peccatórum,
carnis resurrectiónem,
vitam æternam.
Amen.
Besojma Niceo-Konstandinopolitane
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
Krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Dhe në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të lindurin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit
para të gjithë shekujve:
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës, Hyj i vërtetë
prej Hyjit të vërtetë, të lindur, jo të krijuar,
i një substance me Atin;
nëpërmjet të cilit u krijuan të gjitha sendet.
Ai për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë
zbriti prej qiellit,
dhe u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
në kraharorin e Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
vdiq e u varros,
të tretën ditë u ngjall sipas Shkrimeve,
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
E përsëri do të vijë, në lavdi, për të gjykuar
të gjallët e të vdekurit
e Mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt,
që është Zot dhe jetëbërës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit.
Dhe së bashku me Atin e Birin
adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Besoj një Kishë të vetme, shenjte,
katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm
për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur.
Amen.
Symbolum Nicænum Constantinopolitanum
Credo in unum Deum,
Patrem omnipoténtem,
Factórem cæli et terræ,
visibílium ómnium et invisibílium
et in unum Dóminum Iesum Christum,
Filium Dei unigénitum
et ex Patre natum
ante ómnia sæcula:
Deum de Deo, Lumen de Lúmine, Deum verum de Deo vero,
génitum, non factum consubstantiálem Patri: per quem ómnia facta sunt;
qui propter nos hómines
et propter nostram salútem,
descéndit de cælis, et incarnátus est de Spíritu Sancto ex María Vírgine et homo factus est, crucifíxus étiam pro nobis sub Póntio Piláto, passus et sepúltus est, et resurréxit tértia die secúndum Scriptúras,
et ascéndit in cælum, sedet ad déxteram Patris, et íterum ventúrus est cum glória, iudicáre vivos et mórtuos, cuius regni
non erit finis.
Credo in Spíritum Sanctum, Dóminum et vivificántem, qui ex Patre Filióque procédit, qui cum Patre et Fílio simul adorátur et conglorificátur, qui locútus est per prophétas.
Et unam sanctam cathólicam et apostólicam Ecclésiam.
Confiteor unum Baptísma
in remissiónem peccatórum.
Et exspécto resurrectiónem mortuórum, et vitam venturi sǽculi.
Amen.