JEZU KRISHTI (Katekizmi i Kishës Katolike 422-429)

Foto di Gerd Altmann da Pixabay

LAJMI I MIRË: ZOTI KA DËRGUAR BIRIN E VET

422 «Por, kur erdhi koha e caktuar, Hyji dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje, të nënshtruar Ligjit, që t’i shpërblente të nënshtruarit e Ligjit, që ne ta fitonim bijësinë në shpirt» (Gal 4, 4-5).
Ja Lajmi i Mirë në lidhje me «Jezu Krishtin, Birin e Hyjit» (Mk 1, 1):
Zoti e pa dhe e shpërbleu popullin e vet ,
i ka plotësuar premtimet e bëra Adamit dhe pasardhësve të tij ;
dhe ka shkuar përtej çdo pritjeje: ka dërguar «Djalin e dëshirit» (Mk 1, 11).

BESOJ NË JEZU KRISHTIN
NJË TË VETMIN BIRIN E HYJIT


423 Ne besojmë dhe dëshmojmë se Jezusi i Nazaretit, i lindur hebre nga një bijë e Izraelit, në Betlehem, në kohen e mbretit Herod i Madh dhe të perandorit Cezar Augustit, me mjeshtërí zdrukthëtar, i vdekur i kryqëzuar në Jerusalem, nën Prokurorin Ponc Pilatin, kur ishte në sundim perandori Tiber, është Biri i amshuar i Zotit, i bërë njeri, i cili «erdhi prej Hyjit» (Gjn 13, 3), «zbriti nga qielli» (Gjn 3, 13; 6, 33), ka «ardhur në trup» (1 Gjn 4, 2); në të vërtetë «Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm plot hir e të vërtetë… Vërtet, prej plotësisë së tij të gjithë ne morëm, madje, hir mbi hir» (Gjn 1, 14. 16).

424 BESOJ NË JEZU KRISHTIN
NJË TË VETMIN BIRIN E HYJIT.


Të nxitur nga hiri i Shpirtit Shenjt
dhe të tërhequr nga Ati,
në lidhje me Jezusin,
besojmë dhe rrëfejmë:
«Ti je Mesia – Biri i Hyjit të gjallë!» (Mt 16, 16).
Mbi shkëmbin e kësaj feje,
të rrëfyer nga Shën Pjetri,
Krishti ka hedhur themelet e Kishës së vet .

BESOJ NË JEZU KRISHTIN
NJË TË VETMIN BIRIN E HYJIT.



«TË SHPALLET … PASURIA E PASHQYRTUESHME E KRISHTIT» (Ef 3, 8)

425 Transmetimi i fesë së krishterë
është mbi të gjitha Lajmërimi i Jezu Krishtit,
me qëllim që të çohen njerëzit te besimi në të.
Që në fillim, nxënësit e parë kanë qenë
të pushtuar nga dëshira e zjarrtë për të kumtuar Krishtin:
«Ne, veç, nuk mundemi që të mos flasim
për çka kemi parë e dëgjuar!» (Vap 4, 20).
Ata i ftojnë njerëzit e të gjitha kohëve
që të hyjnë në gëzimin e bashkimit të tyre me Krishtin:
“Çka ishte qysh në fillim,
çka dëgjuam,
çka pamë me sytë tanë,
çka soditëm dhe duart tona prekën,
në lidhje me Fjalën e jetës,
– po, Jeta u shfaq,
ne e pamë dhe dëshmojmë
dhe ju kumtojmë Jetën e pasosur,
që ishte te Ati dhe na u shfaq neve –
çka pamë e dëgjuam
po jua kumtojmë edhe juve
që edhe ju të keni bashkësi me ne.
E bashkësia jonë është me Atin
dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin.
Po ju shkruajmë këto
që gëzimi ynë të jetë i plotë. (1 Gjn 1, 1-4)

ESOJ NË JEZU KRISHTIN
NJË TË VETMIN BIRIN E HYJIT.



NË QENDËR TË KATEKEZËS: KRISHTI


426. «Në qendër të katekezës ne gjejmë në thelb një person:
personin e Jezusit të Nazaretit, birin e vetëm të Atit…,
i cili ka vuajtur dhe ka vdekur për ne
dhe tani, i ngjallur, jeton përgjithmonë me ne…
Prandaj, të katekizosh,
do të thotë të zbulosh në personin e Krishtit,
të gjithë planin e Hyjit…
Do të thotë të përpiqesh
të kuptosh vështrimin e gjesteve
dhe të fjalëve të Krishtit,
të shenjave që ka bërë ai» .
Qëllimi i katekezës:
«Të vërë… në bashkim… më Jezu Krishtin:
vetëm ai mund të çojë te dashuria e Atit në Shpirtin
dhe mund të na bëjë
të marrim pjesë në jetën e të Shejtërueshmes Trini» .

427. «Në katekezë mësohet për Krishtin,
Fjalën e mishëruar dhe Biri i Zotit,
dhe të gjitha të tjerat bëhen duke iu referuar atij;
…vetëm Krishti mëson,
ndërsa kushdo tjetër e bën këtë në masën
që është zëdhënësi i tij,
duke i dhënë mundësi Krishtit
që të japë mësim nëpërmjet gojës së tij…
Çdo katekist do të duhej
t’ia përshtatte vetvetes
fjalën e mistershme të Jezusit:
«Mësimi im nuk është imi,
por i Atij që më dërgoi» (Gjn 7, 16) .

428. Ai që është thirrur «për të dhënë mësim mbi Krishtin»
duhet të kërkojë pra, mbi të gjitha,
atë fitim «të lartë të njohjes së Krishtit»,
duhet të pranojë të humbasë çdo gjë,
«me qëllim që të fitojë Krishtin dhe të gjendet në Të»,
dhe «ta njohë atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij
me pjesëmarrjen në vuajtjet e tija,
që të bëhet i ngjashëm me Të në vdekjen e tij,
që në ndonjë mënyrë të mund
t’ia arrijë ngjalljes së të vdekurve.» (Fil 3, 8-11).

429. Nga kjo njohje plot dashuri për Krishtin, lind dëshira e papërmbajtur për ta lajmëruar, për të «ungjillëzuar», dhe për t’i çuar të tjerët te «po-ja» e fesë në Jezu Krishtin. Në të njëjtën kohë ndihet edhe nevoja për ta njohur përherë më mirë këtë besim. Për këtë qëllim, duke ndjekur rendin e Simbolit të besimit, para së gjithave do të paraqiten titujt kryesorë të Jezu Krishtit: Krisht, Bir i Hyjit, Zotëri (neni 2). Pastaj, me radhë, Simboli rrëfen misteret kryesore të jetës së Krishtit: ata të Mishërimit të tij (neni 3), ata të Pashkës së tij (nenet 4 dhe 5), më në fund ata të lavdërimit të tij (nenet 6 dhe 7).

Përmbledhja e Katekizmit të Kishës Katolike – «Shpallja e fesë» (33-49)

JEZU KRISHTI (Katekizmi i Kishës Katolike 441-455)