
Mëngjesin e 25 marsit, engjëlli mbrojtës i thotë (Shën Gemma Galganit):
Nuk dija ç’të mendoja; u çudita kur dëgjova ato fjalë. «Bijë», shtoi ai, «unë jam engjëlli yt mbrojtës, i dërguar prej Hyjit; vij të të bëj të kuptosh një mister, më të madh se të gjithë misteret e tjerë».
Habia ime u bë edhe më e madhe, ende nuk kuptoja… Engjëlli im e vuri re dhe më tha: «A të kujtohet çfarë të premtova dymbëdhjetë ditë më parë?». Mendova dhe shpejt m’u kujtua. «Dije, bija ime, se do të të flas për Marinë Shumë të Shenjtë, për një vajzë të re kaq të përulur para botës, por me madhështi të pafundme para Hyjit; do të të flas për më të bukurën, më të shenjtën ndër të gjitha krijesat; për bijën e dashur të të Tejetlartit, për atë që ishte caktuar për dinjitetin e pakrahasueshëm të të qenit Nëna e Hyjit»
… Ishte bërë natë e thellë dhe Maria Shumë e Shenjtë rrinte e vetme në dhomën e saj: lutej, e tëra e përpirë në Hyjin. Papritur, në atë dhomë të varfër shpërtheu një dritë e madhe dhe kryeengjëlli, duke marrë trajtë njerëzore e i rrethuar nga një numër i pafund engjëjsh, iu afrua Marisë me nderim e madhështi njëherësh. U përkul para saj si para Zonjës, i buzëqeshi si lajmëtar i një lajmi të gëzueshëm dhe me fjalë të ëmbla i tha: «Të falemi, o Mari, Zoti është me ty. E bekuar je ti ndër të gjitha gratë». O përshëndetje e bukur, e madhe dhe sublime, që s’ishte dëgjuar kurrë në tokë dhe as nuk do të dëgjohet kurrë!
… «Sapo kryeengjëlli qiellor i shqiptoi këto fjalë, heshti, sikur priste shenjën e saj për t’ia shpjeguar misionin e tij hyjnor. Mirëpo Maria, pasi dëgjoi përshëndetjen e habitshme, u trazua; heshtte dhe mendonte. Por ndoshta beson, bija ime, se engjëjt e parajsës nuk i kishin zbritur kurrë Marisë? Ajo e gëzonte vizitën e tyre dhe bisedat e tyre të ëmbla çdo çast… Ajo nuk kërkon në mendjen e saj të zbulojë kuptimin e mistershëm, por trazohet sepse e konsideron veten të padenjë për përshëndetjen engjëllore. Ah, bija ime», më përsëriste, «sikur Maria ta kishte ditur sa shumë i kishte pëlqyer Zotit përulësia e saj, nuk do ta kishte konsideruar veten të padenjë për nderimin e një engjëlli. “Si ka mundësi”, thoshte me vete, “që një engjëll i Hyjit më quan hirplotë, ndërsa e di se nuk meritoj asnjë hir hyjnor? Si ka mundësi”, arsyetonte Maria me vete, “që një engjëll i parajsës më quan të bekuar ndër gratë, ndërkohë që unë jam më e padobishmja, më e ulëta, më e përbuzura ndër femrat? Çfarë misteri fshihet vallë nën velin e një përshëndetjeje kaq të lartë?…”
«Maria nuk i ishte përgjigjur aspak përshëndetjes së engjëllit; atëherë Gabrieli, për t’ia larguar frikën, ia përsëriti kështu: “Mos ki frikë, o Mari, ti je e vetmja që ke gjetur hir para të Tejetlartit. Që nga ky çast do të ngjizësh një djalë në barkun tënd, do t’ia vësh emrin Jezus dhe të gjithë do ta quajnë Bir të të Tejetlartit: atij do t’i jepet froni i Davidit, do të mbretërojë në amshim dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë fund”. Me këto fjalë sublime kryeengjëlli ia shpjegonte Marisë tërë misionin e tij…
«Engjëlli ia kishte shpallur tashmë Virgjërës misterin e misionit të madh, domethënë se ajo do të bëhej Nëna e Birit të të Tejetlartit. Por ajo iu drejtua engjëllit dhe i tha: “Si mund të ndodhë kjo, kur unë ruaj të paprekur dëlirësinë time virgjërore?” (Kjo ishte parathënë tashmë në profecinë e Isaisë, ku thuhej se Krishti duhej të lindte prej një nëne virgjëreshë)… Dije, më tha atëherë engjëlli im, «se Maria Shumë e Shenjtë, me një shembull të padëgjuar ndonjëherë, që në vitet e saj të njoma ia kishte kushtuar lules së virgjërisë Dhëndrit qiellor të shpirtrave të dëlirë dhe, ndonëse nuk i nënshtrohej ndjenjës së epshit rebel, nuk kishte lënë pa i ruajtur zambakët e saj mes gjembave të vetëpërmbajtjes.
«Mendo», më thoshte, «se si Maria Shumë e Shenjtë heshti për gjithçka që kishte të bënte me misterin e madh; foli dhe u bë e zellshme vetëm kur dëgjoi të flitej për dëlirësinë e saj të pastër e të patëmetë, dhe iu drejtua atij engjëlli të Hyjit me një kërkesë të zjarrtë… A e kuptove, bija ime, sa shumë e donte Maria këtë virtyt të bukur, engjëllor e qiellor? Por kë mendon se e donte më shumë? Jezusi apo Maria? Sigurisht Jezusi, i cili kurrë nuk do të zgjidhte për nënë një tjetër veçse një virgjëreshë të pastër e të panjollë.
Engjëlli Gabriel u përgjigj: “Mari, Shpirti Shenjt do të zbresë mbi ty, fuqia sublime e të Tejetlartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ai që do të lindë prej teje do të jetë i shenjtë, Biri i vërtetë i Hyjit. Në këtë çast të lajmëroj edhe se Elizabeta, kushërira jote, në pleqëri ka ngjizur një djalë dhe tashmë është në muajin e gjashtë ajo që quhej shterpë, sepse kujto se për Hyjin asgjë nuk është e pamundur”. Engjëlli Gabriel vazhdoi t’i thoshte Marisë Shumë të Shenjtë: “Merr zemër dhe ngushëllohu, o virgjëreshë e bekuar: do të jetë Shpirti Hyjnor ai që do të zbresë për të bërë pjellore mitrën tënde të panjollë. Fuqia e gjithëpushtetshme e të Tejetlartit do të kryejë në ty një mrekulli të re, e cila, duke ta ruajtur njëkohësisht nderin e virgjërisë, do të të japë gëzimin e të qenit nënë. I Shenjti që do të ngjizësh në mitrën tënde nuk do të jetë tjetër veçse Biri i Hyjit”. Me këto fjalë kryeengjëlli Gabriel zbulonte të fshehtën, shpjegonte misterin dhe e qetësonte Marinë.
«Tashmë gjithçka ishte bërë e qartë; mungonte vetëm fjala e fundit e Marisë që Virgjëra të bëhej Nëna e Hyjit. Fjala Hyjnore, e lindur prej Atit në shkëlqimin e shenjtërve, nuk duhej të kishte baba në tokë, ashtu siç nuk pati nënë në qiell. Dhe Maria, e zgjedhur për të qenë nëna e të Vetëmlindurit të Atit Hyjnor, bëhej bija e vetme e vetë Atit. Duke qenë ajo që do t’i jepte Fjalës Hyjnore gjymtyrët njerëzore prej lëndës së saj virgjërore, u lartësua në dinjitetin e patregueshëm të të qenit Nëna e Birit të Hyjit. Meqë Maria ishte ajo mbi të cilën do të zbriste Shpirti Shenjt, i cili, duke e mbuluar me hijen e fuqisë së tij të gjithëpushtetshme, do ta bënte nënë virgjëreshë të një Biri Hyj, ajo u lartësua kështu në nderin e lartë të nuses së Shpirtit Shenjt.
«Pasi u zbulua misteri dhe Virgjëra u qetësua plotësisht, lajmëtari hyjnor heshti, duke pritur me padurim përgjigjen e saj, domethënë pëlqimin e Marisë për Mishërimin e Fjalës së amshuar… dhe ajo u përgjigj: “Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate”. Shqiptohet fjala e madhe, Maria është Nëna e Birit të të Tejetlartit. Me këto fjalë qielli ngazëllohet, e gjithë bota ngushëllohet. Engjëlli përkulet me nderim para Zonjës së tij, pastaj fluturon dhe kthehet në parajsë.
Maria, duke pranuar dinjitetin më të lartë të të qenit Nëna e Hyjit, shpallte me përulësi se ishte shërbëtore e Zotit. Ajo përulësi e thellë, në të cilën engjëlli i Zotit e gjeti të përqendruar e thuajse të asgjësuar, nuk e braktisi as pas përshëndetjes së lavdishme e propozimit edhe më të lavdishëm për t’u bërë nëna e Fjalës Hyjnore.
«Maria sapo kishte shqiptuar fiat-in e mrekullueshëm dhe, në një çast, Shpirti Hyjnor formoi në mitrën e saj, prej lëndës së saj virgjërore shumë të pastër, një trup të vogël e të përsosur; pastaj, pasi i bashkoi një shpirt njerëzor, Personi Hyjnor i Fjalës u bashkua me këtë shpirt dhe me atë trup përmes një bashkimi tepër të ngushtë, hipostatik. O mrekulli! Ai Hyj, që nuk mund të përmbahet në pafundësinë e qiejve, rri i mbyllur në mitrën e Marisë. Ai Hyj që me një gisht mban në këmbë strukturën e madhe të gjithësisë, mbahet prej mitrës së dëlirë të një virgjëreshe. Kush mund të tregojë, pra, se çfarë plotësie gëzimi e përmbyti dhe ndezi shpirtin e Marisë në atë çast të lumtur, kur u bë Nëna e Birit të Hyjit? Mbreti i mbretërve, Zoti i madh i sundimtarëve, e vendosi fronin e vet në mitrën e patëmetë të Marisë. Një gëzim i pafund e përmbyti Marinë, kur e nguli shikimin në dritën e pafundme dhe mundi të sodiste shkëlqimet e mistershme të Hyjnisë.
«Duke pranuar Maria dinjitetin e pakrahasueshëm të të qenit Nëna e Hyjit, pranonte njëkohësisht detyrën bujare të të qenit Nëna e gjinisë njerëzore. Le të gëzohemi: Maria, duke i dhënë engjëllit pëlqimin e saj plot përulësi, ju ka birësuar si bij të saj, duke u bërë nëna e të gjithëve».

