
Jeta ime s’është veçse një çast, një orë që kalon,
jeta ime s’është veçse një ditë e vetme që më ikën e fluturon tutje.
Ti e di, o Zoti im! Për të të dashur mbi tokë
kam vetëm të sotmen!
Oh! Të dua, Jezus! Shpirti im digjet nga dëshira për ty.
Për një ditë të vetme, bëhu mbështetja ime e ëmbël.
Eja e mbretëro në zemrën time, më dhuro buzëqeshjen tënde,
vetëm për sot!
Ç’rëndësi ka për mua, o Zot, nëse e ardhmja është e errët?
Të lutem për të nesërmen? Oh, jo, nuk mundem!
Ruaje zemrën time të pastër, më mbulo me hijen tënde,
vetëm për sot.
Kur mendoj për të nesërmen, kam frikë nga paqëndrueshmëria ime,
ndiej trishtimin dhe mërzinë të më lindin në zemër.
Por unë dua ta pranoj, o Zoti im, sprovën dhe vuajtjen,
vetëm për sot.
Së shpejti do të të shoh në bregun e amshuar,
o Timonier hyjnor, dora e të cilit më udhëheq!
Nëpër dallgët e stuhishme, drejtoje në paqe barkën time,
vetëm për sot.
Ah! Lërmë, o Zot, të fshihem në Fytyrën tënde.
Atje nuk do ta dëgjoj më zhurmën e kotë të botës.
Më dhuro dashurinë tënde, ma ruaj hirin tënd,
vetëm për sot.
Pranë Zemrës sate hyjnore, harroj gjithçka që kalon,
nuk kam më frikë nga frikërat e natës.
Ah! Jezus, më jep një vend në këtë Zemër,
vetëm për sot.
Bukë e gjallë, Bukë e Qiellit, Eukaristi hyjnore,
o Mister i shenjtë, i lindur prej Dashurisë!
Eja e bano në zemrën time, Jezus, Ostja ime e bardhë,
vetëm për sot.
Denjo të më bashkosh me ty, Hardhi e shenjtë dhe e kushtuar,
dhe lastari im i dobët do të të japë frytin e vet.
E kështu do të mund të të ofroj një vile rrushi të artë,
o Zot, që sot.
Kjo vile dashurie, kokrrat e së cilës janë shpirtra,
për ta formuar, kam vetëm këtë ditë që po ikën.
Ah! Jezus, më dhuro flakët e një apostulli,
vetëm për sot.
O Virgjëreshë e Papërlyer! Ti je Ylli im i ëmbël,
që ma dhuron Jezusin dhe më bashkon me Të.
O Nënë, më lër të pushoj nën velin tënd,
vetëm për sot.
Engjëlli im mbrojtës, më mbulo me krahun tënd,
ndriçoje me shkëlqimin tënd rrugën nëpër të cilën po eci.
Eja e udhëhiq hapat e mi… po të thërras, më ndihmo,
vetëm për sot.
O Zot, dua të të shoh pa vel, pa re,
por, ende e mërguar, larg teje, po lëngoj.
Mos ma fshih fytyrën tënde të dashur,
vetëm për sot.
Së shpejti do të fluturoj për të kënduar lavdet e tua,
kur dita pa perëndim të ketë lindur mbi shpirtin tim.
Atëherë do të këndoj në lirën e Engjëjve
E Sotmja e Përjetshme!
Shën Tereza e Jezusit Fëmijë (Tereza e Lizjës, 1873–1897)
Nga «Mon chant d’aujourd’hui», poezia nr. 5, shkruar më 1 qershor 1894. Përkthyer në italisht nga frëngjishtja.
_____________
Shën Tereza e Jezusit Fëmijë, e njohur si Shën Tereza e Vogël e Lizjës (1873–1897), ishte një murgeshë karmelitane franceze, e shpallur Doktoreshë e Kishës. Ajo mësoi «rrugën e vogël» të shenjtërisë: t’i jetosh gjërat e vogla të përditshme me dashuri dhe besim, duke iu dorëzuar plotësisht Hyjit.
Përshpirtëria e saj është një ftesë për ta bërë të sotmen dhuratë dashurie, pa pasur frikë nga e nesërmja. Përkujtimi i saj liturgjik kremtohet më 1 tetor.

